COVID-19 – SHBA-ja anulon autorizimin e përdorimit të klorokinës dhe hidroksiklorokinës

UASHINGTON, 15 qershor /ATSH-AFP/ – Zyrtarët amerikanë të Shëndetësisë tërhoqën sot autorizimin për përdorim emergjent të dy trajtimeve antiCOVID-19, klorokinës dhe hidroksiklorokinës.

“Nuk është më e arsyeshme të besosh se administrimi oral i hidroksiklorokinës dhe klorokinës është efektiv në trajtimin e COVID-19”, tha përgjegjësja shkencore për Agjencinë e Barnave të SHBA-së (FDA), Denise Hinton.

“As nuk është e arsyeshme të besosh se përfitimet e njohura dhe të mundshme të këtyre produkteve i kapërcejnë rrezikun e tyre të njohur dhe të mundshëm”, shtoi ajo.

Më 28 mars, FDA dha miratimin e saj që këto trajtime antimalarie të rekomandoheshin vetëm në spitale, për pacientët e infektuar nga koronavirusi i ri.

Më 25 prill, FDA paralajmëroi kundër përdorimit të tyre jashtë spitaleve ose testeve klinike, për shkak të rrezikut të çrregullimeve në ritmin e zemrës./ /ervo/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.