Përpunimi i bimëve mjekësore në Kosan/ 300 milionë lekë iu disbursuan fermerëve vitin e kaluar

TIRANË, 13 qershor /ATSH/ Investimet në industrinë përpunuese të bimëve mjekësore dhe aromatike, po rrisin të ardhurat e familjeve fermere që merren me kultivimin dhe grumbullimin e këtyre bimëve në Malësinë e Madhe.

Zv.ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Dhimo Kote dhe kryetari i bashkisë në Malësinë e Madhe, Tonin Marinaj zhvilluan ditët e fundit një vizitë në fabrikën e përpunimit të bimëve mjekësore në Kosan të Malësisë së Madhe, ku u njohën nga afër mbi ecurinë e këtij biznesi të ri, që prodhon kryesisht për eksport vetëm në SHBA.

Marinaj tha se, kjo fabrikë është një investim i ri në teknologji moderne që operon prej dy vitesh në zonën e Malësinë e Madhe.

“Rreth 300 milionë lekë ka disbursuar kjo fabrikë vitin e kaluar për fermerët të cilët kanë sjellë bimë mjekësore si lëndë të parë për përpunim, ndërsa vijon eksportin në tregun e huaj mbi bazën e kontratave të konsoliduara për disa vite me radhë”, – u shpreh Marinaj.

Zv.ministri Kote duke folur edhe për skemat mbështetëse të Qeverisë Shqiptare ndaj fermerëve, tha se masa e financimit të bimëve mjekësore zë një vlerë të konsiderueshme çka do të rrisë interesin e fermerëve për zgjerimin e sipërfaqeve të mbjella me këto bimë, që  janë burim të ardhurash për ekonominë.

Në Malësinë e Madhe janë mbi 6.5 mijë hektarë të mbjella me bimë mjekësore, që kryesisht eksportoheshin të papërpunuara jashtë vendit, por sot falë investimeve, përpunimi i tyre po sjell një rritje e madhe për ekonominë.

Qindra hektarë sipërfaqe e kultivuar me bimë mjekësore dhe aromatike, e bëjnë Shqipërinë vend lider në prodhimin dhe eksportimin e këtyre pasurive natyrore. Sektori i bimëve mjekësore dhe aromatike gjeneron rreth 20 milionë euro nga eksporti, i listuar si sektori i dytë më i madh në eksportin bujqësor, duke përbërë 19% të eksporteve totale të vendit. Pra duket qartë se tregu ndërkombëtar është i etur për bimët e egra natyrale të Shqipërisë me vlera të jashtëzakonshme mjekësore.

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.