Parku Fotovoltaik i Karavastasë/ Balluku: Çmimi i ofruar theu rekordin, kompania pritet të nis punën në terren në nëntor

TIRANË, 8 qershor/ATSH/ Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku deklaroi se në ankandin e Parkut Fotovoltaik të Karavastasë u vendos një standard i ri, i cili siguron një interes të shtuar të investitorëve të huaj në Shqipëri, ndërsa çmimi prej 24,89 MWh përbën një rekord europian në skemën 50 me 50 të prodhimit.

“Suksesi ishte jo vetëm nga çmimi, por edhe procesi. Ankandin e Parkut Fotovoltaik të Karavastasë e shikoj si vendosjen e një standardi të ri, i cili na siguron interes të shtuar të investitorëve të huaj në Republikën e Shqipërisë. Nëse investitori ndjehet i mbrojtur dhe ndjen se i ka të gjitha mundësitë për të konkurruar përmes një gare transparente, atëherë ata do të duan të vijnë edhe më shumë”, deklaroi ministrja Balluku, gjatë një interviste në media.

Sipas Ballukut, padyshim edhe çmimi prej 24,89 MWH që përbën një rekord europian për këtë skemë, pra 50 me 50 të ndarjes së prodhimit na bën krenar të gjithëve.

“Ne e dinim që do të kishim çmime kompetitive për shkak se cilësia e kompanive që ishin në garë na e diktonte këtë “, shtoi ministrja.

Sipas Ballukut, dokumentacioni për këtë ankand është blerë nga 30 kompani prestigjoze duke filluar nga “Statkraft”, që është ndër më të mëdhatë në Europë e operon në Shqipëri prej vitesh, që e njeh tregun tonë e që ne kemi kënaqësi të punojmë me të, por edhe kompani franceze, gjermane, italiane, izraelite, kompani me portofol të konsiderueshëm. Ishim të përgatitur për një çmim kompetitiv midis këtyre gjigantëve të energjisë së rinovueshme, por sigurisht nuk ishim të përgatitur për thyerjen e këtij rekordi”, deklaroi ministrja Balluku.

Sipas saj, në javën e parë të korrikut do të bëhet firmosja e kontratës që do të jetë publike për shkak të investimit të madh prej 128 milionë eurosh dhe më pas janë 90 ditë të punës përgatitore që i nevojiten kompanisë për të operuar në terren.

“Në nëntor kompania besoj do të jetë e gatshme për të nisur operacionet në terrren. Ne presim të ketë një avancim të shpejtë“, tha ajo.

Me 27 maj qeveria shqiptare pëmbylli ankandin ndërkombëtar për ndërtimin e parkut fotovoltaik të Karavastasë, i cili do të jetë parku energjetik më i madh me energji solare në Ballkan.

Çmimi prej 24,89 euro, për MWh, i ofruar nga kompania franceze “Voltalia” është konsideruar si një çmim fantastik, për leverdinë ekonomike që i sjell ekonomisë së vendit, nisur nga fakti se energjia elektrike me shumicë në Shqipëri llogaritet të jetë në nivelin 50-55 euro për MWh.

Vendi ynë, për shkak se bazohet në energjinë e prodhuar nga hidrocentralet, sigurisht që ka një varësi të jashtëzakonshme nga moti. Ndërtimi i Parkut Fotovoltaik të Karavastasë është një hap shumë i rëndësishëm, në drejtim të diversifikimit të burimeve të energjisë, përmes krijimit të burimeve alternative të prodhimit të energjisë, që në këtë rast është energjia solare.

Investimi për ndërtimin e Parkut Fotovoltaik të Karavastasë në zonën e Divjakës dhe të Fierit do të kapë shifrën e 128 milionë eurove. Parku fotovoltaik do të ketë një kapacitet të instaluar prej 140 megavat energji, të ndara sipas një skeme ku 70 megavat do të jenë me çmim të parashikuar dhe 70 megavat do të tregtohen në tregun e lirë.

Afati i projektit është 30-vjeçar dhe për kapacitetin 70 megavat me çmim të parashikuar, kemi një kontratë shitblerje energjie për një afat 15-vjeçar.

/a.gjonaj/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.