Murrizi: Marrëveshja e arritur, arnim i kodit aktual zgjedhor

TIRANË, 6 Qershor /ATSH/-Kreu i grupit demokrat në parlament, Myslim Murrizi          është shprehur kundër marrëveshjes për Reformë Zgjedhore të arritur mes mazhorancës dhe opozitës jo parlamentare duke theksuar se, “kjo nuk është një Reformë Zgjedhore, por arnim i kodit aktual të sanksionuar më 21 prill të vitit 2008”.

“Së pari nuk është reformë zgjedhore, por arnim i kodit aktual të sanksionuar në 21 prill të 2008, që prej asaj dite shqiptarët nuk zgjedhin, por votojnë. Kush kërkon të shesë këtë si reformë zgjedhore kalon kufijtë e hipokrizisë dhe kërkon t’ja u shes shqiptarëve si një arritje të madhe që dy palët kanë bërë këtë marrëveshje të tyre, që janë të marrë vesh mes tyre këto 25 vite më së miri mes njëri-tjetrit”,- tha Murrizi gjatë një interviste televizive.

Sipas Murrizit nuk është prekur thelbi i Reformës, sistemi. “Nuk e themi ne, por sondazhet jo qeveritare, të organizatave civile, që shqiptarët kërkojnë sistem zgjedhorë me lista të hapura.

Ne kërkojmë administratë zgjedhore dhe jo militant politik të tre partive që nga raportet e e ndërkombëtarëve dhe OSBE/ODIHR janë akuzuar dhe anatemuar si njerëz që kanë futur duart në votat e shqiptarëve prej vitesh. Ne kërkojmë lista të hapura, administratë zgjedhore dhe vota të emigrantëve, një premtim i pambajtur i kësaj mazhorance që ju premtua shqiptarëve që prej vitit 2013”,- tha Murrizi.

Ai shtoi se janë 39 deputetë të gatshëm të votojnë kundër Reformës Zgjedhore.

“Deri sot që unë flas ka një rikonfirmim të dytë të 39 deputetëve që para një viti i dorëzuan kërkesë KQZ si kërkesë për ndryshimin e sistemit zgjedhorë, një rikonfirmim që u firmos nga 32 deputetë të pranishëm në sallën e Kuvendit, por dhe ato që nuk ishin në sallë ishin në sinkron të këtij zhvillimi”,- tha Murrizi./a.a/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.