Kosova shfuqizon masat e reciprocitetit ndaj Serbisë, reagime

PRISHTINE, 6 qershor/ATSH/- Pas vendimit të marrë nga Kryeministri Avdullah Hoti  në mbledhjen e sotme të qeverisë për të shfuqizuar masat e reciprocitetit ndaj Serbisë, të cilat ishin vendosur nga qeveria e kaluar e udhëhequr nga Albin Kurti, kanë ardhur edhe reagimet nga përfaqësues të politikës në Kosovë.

Presidenti Hashim Thaçi tha se “e mirëpres vendimin e sotëm të Qeverisë së Republikës së Kosovës për heqjen e të gjitha barrierave, që Serbia deri më sot i ka përdorur si pretekst për bllokimin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërshtetërore ndërmjet shtetit të Kosovës dhe Serbisë”.

“Tani presioni ndërkombëtar duhet të drejtohet nga Serbia me qëllim që pa humbur kohë të rifillojë dialogu, i cili duhet të përfundojë me njohje reciproke ndërmjet dy shteteve”, deklaron Thaçi.

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani shprehet se “ta quash reciprocitetin ‘pengesë’ do të thotë që barazinë e konsideron pengesë. Do të thotë që nuk e don vendin tënd të trajtuar të barabartë me të tjerët. Ta quash reciprocitetin pengesë do të thotë që ti nuk beson se ke të drejta sovrane, të pavarura e të barabarta, siç janë të parapara në Deklaratën e Pavarësisë e në Kushtetutën e vendit. Të heqësh dorë nga e drejta për t’u trajtuar i barabartë do të thotë të heqësh dorë nga e drejta për t’u trajtuar sovran si Republikë e Kosovës”.

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës,  Isa Mustafa  deklaron se “vendimi i sotëm i Qeverisë Hoti për heqjen e të gjitha pengesave për dialog që çon në njohje reciproke ndermjet Kosovës dhe Serbisë, është vendim i guximshëm”.

“Qeveria Hoti dëshmoi përkushtimin e saj për partneritet strategjik me SHBA dhe BE. Pritet që hapa të njëjtë të ndërmerr edhe Serbia; të tregojë se a është vërtetë e interesuar për dialog që i kontribuon paqes dhe stabilitetit në rajon dhe me gjerë. Ndërkaq, të gjithë ne duhet të jemi unik dhe të përkrahim qeverinë që dialogu të jetë i suksesshëm”, deklaron Mustafa.

Qeveria e kaluar e Kosovës kishte hequr taksën 100 për qind ndaj produkteve nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina, dhe kishte vendosur masën e reciprocitetit ndaj produkteve nga Serbia.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.