TALIN, 5 qershor /ATSH-AFP/- E apasionuar pas teknologjive të reja, Estonia ka zhvilluar një aplikacion të quajtur “pasaporta e imunitetit”, e cila u mundëson personave të tregojnë se kanë zhvilluar antitrupa kundër COVID-19, pra, paraqesin rrezik të ulët të përhapjes së koronavirusit, sipas kompanive zhvilluese të saj “Transferwise” dhe “Guardtime”.
“Aplikimi që kemi krijuar mund të sigurojë të dhënat e nevojshme për shkollat dhe punëdhënësit, për t’i ndihmuar ata të marrin vendimet e tyre,” tha bashkëthemeluesi i “TransferWise”, Taavet Hinrikus.
“Sidoqoftë, para se ta pranojmë atë për përdorim të gjerë, ne duhet të arrijmë një konsensus shkencor mbi imunitetin ndaj COVID-19”, shtoi ai.
Aplikacioni lejon përdoruesit të hyjnë në rezultatet e testit COVID-19 brenda një orë pasi kanë provuar identitetin e tyre.
Ata, gjithashtu, mund t’i ndajnë këto rezultate me të tjerët, duke përdorur një kod QR që skadon një minutë më vonë.
Sipas zhvilluesve të saj, kjo ofron garancinë se rezultatet e imunitetit janë të përditësuara dhe mbrohen kundër ndarjes së paautorizuar./ /ervo/