Ndërtimi i Skavicës përgjysmon në 50 milionë dollarë importin e energjisë

Projekti i "SKAVICËS"

Gepostet von Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë am Donnerstag, 4. Juni 2020

TIRANË, 4 qershor/ATSH/ Një ndër problematikat kryesore në sektorin e energjetikës në vendin tonë sot, është se konsumon më shumë se sa prodhon.

Sipas të dhënave zyrtare të Korporatës Elektroenergjetike Shqiptare (KESH), importi mesatar vjetor në 10 vitet e fundit llogaritet në 1 700 gigavat orë në vit. Pra ne paguajmë afërsisht 100 milionë dollarë për importin e energjisë, dhe nga kjo vjen edhe rëndësia e investimit prej 510 milionë eurosh për ndërtimin e HEC-it të Skavicës nga qeveria.

Në prezantimin e studimit të fizibilitetit të projektit të Skavicës prezantuar një ditë më parë, parashikuar të ndërtohet në vazhdën e Kaskadës së Drinit që ka një prodhim që mbulon gati 65% të nevojave të vendit, u vu theksi në faktin se ndërtimi i këtij HEC-i do të përgjysmojë importin e energjisë elektrike.

“Kapaciteti i instaluar i tre HEC-ve në kaskadën e Drinit është 1 350 megavat dhe prodhon afërsisht 4200 gigavat orë në vit. Ndërtimi i Skavicës ka rëndësi. E para, është rritja e sigurisë energjetike në vend që është edhe strategjia e qeverisë shqiptare dhe reduktimi i importit. Ndërtimi i Skavicës realizon uljen me 50 milionë dollarë të importit të energjisë“, deklaroi drejtori i KESH-it, Benet Beci.

Rekomandimi kryesor i studimit mbështet alternativën me digë të lartë, 210 MW fuqi të instaluar dhe 915 GWh/vit. Aspektet pozitive të këtij variant përveç rritjes së prodhimit e uljes së importit me 55%, është edhe shfrytëzim më eficient i kaskadës, minimizimi i përmbytjeve në zonën e Shkodrës, mundësi të reja në zhvillimin e investimeve në burime të rinovueshme, por dhe mundësi zhvillimi për zonën, kryesisht në rritjen e punësimit dhe zhvillimin e turizmit.

Hidrocentrali i Skavicës, ashtu si tre hidrocentralet e tjerë të kaskadës së lumit Drin do të operohet nga KESH. /a.a/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.