Gjonaj: Sfida jonë ngritja e Institutit multidisiplinar të të miturve

TIRANË, 1 qershor/ATSH/ Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj deklaroi sot se sfida e ardhshme e institucionit që ajo drejton është ngritja e Institutit multidisiplinar të të miturve, për ta kthyer trajtimin e tyre në një histori suksesi në të gjithë rajonin e Ballkanit.

Në Ditën e Fëmijëve, Gjonaj përcolli një urim të veçantë për të miturit e kufizuar nga liria dhe ata në kontakt me organet e drejtësisë.

Gjonaj tha se prioritet i Ministrisë së Drejtësisë është ngritja e qendrave sociale multidisiplinare pranë bashkive, ku të miturit e kufizuar nga liria dhe ata në kontakt me organet e drejtësisë të mund të përfitojnë nga programet rehabilituese.

“Për ne është një mision i vazhdueshëm që të sigurohet mbrojtja dhe garantimi i plotë i të drejtave të tyre përmes gjithë instrumenteve që disponojmë. Nëpërmjet qasjes së re rehabilituese dhe riintegruese që solli reforma në drejtësinë penale për të miturit, prioriteti i Ministrisë së Drejtësisë është ngritja e qendrave sociale multidisiplinare pranë bashkive, ku këta të mitur mund të përfitojnë nga programet rehabilituese”, deklaroi Gjonaj.

Sipas saj, “më shumë se kurrë, na takon një punë e shumëfishtë për të garantuar një trajtim rehabilitues edhe më social për ta, pasi veç të tjerash çdo fëmijë është pasqyra e së ardhmes”. /a.gjonaj/ /a.g//r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.