FOTOGALERI/Spektakli natyror në parkun Divjakë-Karavasta si ftesë për turistët

TIRANË, 24 maj/ATSH/ Parku kombëtar Divjakë-Karavasta, 90 km larg nga Tirana, është  një nga parqet natyrore  më të vizituara për turizmin detar, natyror dhe të  vëzhgimit të shpendëve ujorë.

Plazhi, laguna dhe pylli që e rrethon janë tre asetet kryesore të zhvillimit të turizmit në Divjakë, krahas monumenteve të kulturës që ndodhen në zonë.

Me një kullë panoramike, varka për të shëtitur vijë ujore përgjatë gjithë parkut, pyllin e gjelbëruar dhe me larmishmëri shpendësh janë disa nga aventurat që nuk duhen humbur kur viziton këtë park të rijetësuar.

Gjatë sezonit turistik në këtë park ofrohet një guidë prej 5 km, ku vizitorët njihen me gjallesat dhe bimësinë e parkut.

Vrojtimi nga kulla panoramike kur qielli është i kthjellët shkon edhe më thellë deri në malin e Tomorit.

Turizmi i vëzhgimit të shpendëve apo kafshëve të egra, tashmë po kthehet në një lëvizje të vërtetë turistike edhe për vendin tonë.

Me dhjetra vizitorë vendas e të huaj, vijnë të vëzhgojnë nga afër shpendët e shumtë që kanë zbritur kohët e fundit  dhe vazhdojnë të zbresin në këtë park të mbrojtur më së miri nga moratorium i gjuetisë dhe pylli i dendur.

Vendet më të preferuara nga vizitorët janë “Ishulli i Pelikanit”, Këneta e Madhe ku jeton Pelikani, por edhe shpendë të tjerë dhe Këneta e Vogël, ku kryesisht strehohen Flamingot dhe Rosat e Egra.

Flamingot dhe shpendët e tjerë ujorë, që popullojnë lagunën e Divjakë-Karavastasë, kanë  tërhequr vëmendjen e mediave botërore me reportazhet e tyre të shumta për jetën e egër në këtë park.

Tashmë në ishullin e Pelikanit në këtë park ka një sistem vrojtimi video 24/7 që ka për qëllim vrojtimin dhe njohjen me folezimin e pelikanëve si një nga speciet më të veçanta të parkut.

Ky sistem vrojtimi është i aksesueshëm nga vizitorët dhe turistët e parkut nëpërmjet një ekrani që gjendet tek qendra e vizitorëve. Qëllimi është të informoj turistët mbi rëndësinë e pelikanit.

Jo vetëm në stinën e verës, ku ujërat e pastra të Adriatikut lagin rërën e kristaltë dhe brigjet pyjore të pishave aromëmirë, por edhe në stinët e tjera të vitit kur nuk bëhet plazh, Divjaka ka një peizazh tërheqës dhe një faunë të veçantë për t’u vëzhguar.

Parku Kombëtar Divjakë-Karavasta kufizohet nga lumi Shkumbin në veri, nga kodrat e Divjakës në Lindje, nga kanali i Myzeqesë dhe lumi Seman në jug, dhe laget nga deti Adriatik në perëndim.

Karavastaja është një nga tri zonat Ramsar në Shqipëri: ajo është strehë për një numër të madh të shpendëve dimëruese, ajo është gjithashtu një vend i rëndësishëm për shumë specie me interes të madh të ruajtjes, si Pelikani dalmat (Pelecanus crispus).

Parku Kombëtar Divjakë-Karavasta është një zonë e mbrojtur në zonën bregdetare të Shqipërisë, që përbëhet nga ekosisteme komplekse, shumë të pasura në biodiversitet dhe burime natyrore.

Parku është shpallur si zonë e mbrojtur natyrore për shpendët e ujit, si ligatinë me rëndësi ndërkombëtare sipas Konventës së Ramsarit, që nga viti 1995.

Zona e parkut kombëtar Divjakë-Karavasta është zona më e rëndësishme komplekse e Shqipërisë për sa i përket biodiversitetit./k.s/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.