TIRANË, 16 maj/ATSH/ Bashkia e Pogradecit ka përfunduar dezinfektimin e mjediseve në shkollat e mesme, në të 7 njësitë administrative: Udenisht, Buçimas, Çërrave, Dardhas, Trebinjë, Proptisht, Velçan.
Ekipet e shërbimit punuan me intensitet për dezifektimin e ambienteve të jashtme dhe të brendshme të shkollave dhe ato tashmë janë gati për të mirëpritur në 18 maj maturantët.
Artin Hasani, zëdhënës në bashkinë Pogradec i tha sot ATSH-së se, “në të gjithë bashkinë sipas numrit të maturantëve do të rihapen 13 shkolla”. “Nga ana e bashkisë është bërë dezinfektimi i tyre në fshat dhe qytet, krahas kësaj janë vendosur bankat në largësinë 1.5 m sipas udhëzimeve për të ruajtur distancën e largësisë midis nxënësve”, u shpreh ai..
Gjithashtu theksoi Hasani, janë vendosur edhe tabela informuese mbi ruajtjen e higjienës personale nga nxënësit.
Bashkia Pogradec në planin e masave për kryerjen e dezinfektimit të ambienteve të brendshme dhe të jashtme të institucioneve arsimore ka përfshirë shkollat e mesme publike dhe jopublike në të gjithë territorin e saj.
Në datën 18 maj shkollat hapin dyert për maturantët, sipas protokollit të miratuar nga ministritë e linjës, në zbatim të masave të mbrojtjes nga COVID-19.
Ndërkohë, procesi i dezinfektimit vazhdon në çdo ambient publik të territorit, pasi të hënën rihapen edhe baret e restorantet, ndërsa janë vendosur postera orientues, për respektimin e masave mbrojtëse.
e.xh//j.p/r.e/