Braçe denoncon abuzimin me çmimet në tregun agroushqimor në Tiranë: Grabitje e dyfishtë e fermerëve dhe qytetarëve

TIRANË, 13 maj/ATSH/ Zëvendëskryeministri Erion Braçe ka denoncuar sot abuzimet me çmimet që, sipas tij, bëhen nga tregu agroushqimor në Tiranë.

Braçe ka kryer një kontroll në orën 05:30 të mëngjesit të sotëm në tregun agroushqimor, duke e cilësuar si treg monopol, pasi sipas tij, abuzohet hapur me çmimet dhe nuk jepet asnjë faturë apo kupon.

Braçe është shprehur se dhe kur i pyet për çmimin, e caktojnë atë vetë sipas dëshirës, duke e vendosur aty për aty, pa paraqitur asnjë kupon tatimor, asnjë faturë dhe duke fituar deri në 20 lekë për kilogram, më shumë se dhe vetë bujku që e prodhon dhe ua shet atyre me një çmim tepër të ulët 20-25 lekë.

“Grabitja e dyfishtë vazhdon! Prej orës 5:30 të këtij mëngjesi, isha në tregun monopol të Tiranës, tregun agroushqimor. Nuk u zhgënjeva! Një pazar tërësisht i paligjshëm, grabitës deri në fund. Në një orë rresht, në çdo cep të tij, në rrugë, kamionë, furgonë apo magazina, asnjë faturë! Asnjë kasë! Asnjë kupon! Zero, zero! Asnjë etiketë çmimi! Çmime që vendosen aty për aty, me gojë! Dëgjojini vetë. Sa është domatja? Po me 7 thotë ky! Sa është qepa? Me 400! Sa është patatja? Veri dorën dhe caktoje vetë çmimin! Dëgjoni vetë!”, ka theksuar Braçe.

“Pazar banal ku djersa e bujkut në 6-7 muaj për atë produkt shkon dëm e grabitur! Shkova sot në pazarin monopol agroushqimor të Tiranës, sepse dje në Divjakë këta u rikthyen tek frikësimi i bujkut dhe dhuna mbi të; kanë grumbulluar nëpër fusha qepën me 20-25 lekë, pataten me 30-35 lekë! Pa faturë, autofaturë siç e quajnë, thjeshtë kanë ngarkuar, paguar atë çmim qesharak e kanë ikur. Një pjesë, më kopilat ndër këta pazarxhinj, kishin prerë fatura fiktive me çmim 40 lekë, një xhiro e neveritshme faturash që mbushen fiktivisht me dorë në çdo hallkë sa kohë këtu në Tiranë, pazarin qendror, nuk ka në qarkullim as faturë e as kupon në çdo shitje. Një pjesë e tyre u kapën dje, u kontrolluan, u ndëshkuan, por shumica vijuan rrugën”, ka thënë Braçe.

“Sot, tek ky pazari i Tiranës çmimi i qepës ishte 30 lekë, 35 lekë, 40 lekë, 45 lekë në varësi të gojës, kurrë të faturës; jam vetë dëshmitar. Pra, nëse bujku në Divjakë nuk po merr lekët e tij nga qepa e prodhuar, këta pazarxhinjtë e Tiranës, thjesht nga Divjaka në ketë treg, fitojnë 5, 10, 15, 20 lekë për kilogram! Shumë më tepër se bujku që në më të shumtën e herëve po fiton zero lekë!”, ka shtuar Braçe.

“Kështu edhe për pataten, domaten, specin, karotën etj., superprodukte të Divjakës, Lushnjës, Beratit, Fierit. Më shumë krahasoni këto çmime të pazarit monopol të Tiranës me çmimet e po të njëjtave produkte që blini në tregjet e hapura të lagjeve apo dyqanet po aty. Qepa është 60 lekë dhe tregtari fiton nga 15 deri 25 lekë për kg, patatja është 70/80 lekë në varësi të gojës dhe tregtari fiton nga 30 deri 40 lekë për kg, domatja është 110-120 lekë dhe tregtari fiton 40 deri 50 lekë për kg! E kuptoni çfarë grabitjeje?”, ka shkruar Braçe.

/gj.mima/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.