SHBA – Fauci në karantinë pas kontaktit me një të infektuar

NJU JORK, 10 maj /ATSH-DPA/ – Anthony Fauci, eksperti i lartë amerikan i sëmundjeve infektive, do të hyjë në karantinë, pasi mendon se është ekspozuar ndaj një punonjësi të Shtëpisë së Bardhë i cili rezultoi me koronavirus, raportoi CNN.

Fauci, 79 vjeç, deklaroi se kontakti ishte me rrezik të ulët, gjë që nënkupton se nuk kishte patur kontakte të drejtpërdrejta me personin në fjalë.

“Një test i kryer të premten, zbuloi se Fauci nuk ishte i infektuar me COVID-19”, raportoi CNN.

Ai planifikon të kryejë teste çdo ditë dhe do të punojë nga shtëpia duke përdorur maskë. Gjtihashtu CNN njoftoi se Fauci mund të shkojë në zyrën e tij në Institutin Kombëtar të Alergjive dhe Sëmundjeve Infektive, ku është personi i vetëm që punon atje.

Nuk është e qartë se cili punonjës i Shtëpisë së Bardhë mund të ketë ekspozuar Faucin ndaj virusit.

Megjithatë, sekretarja e shtypit e zëvendëspresidentit, Mike Pence, Katie Miller, e cila të premten rezultoi pozitiv, shpeshherë merr pjesë në takimet e kryera në Shtëpinë e Bardhë lidhur me koronavirusin, në të cilat merr pjesë edhe Fauci.

Katie Miller është bashkëshortja e Stephen Miller, një ndihmës i lartë i Trump. / /sara/ a.jor.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.