Personeli i spitalit në Pejë rezulton negativ në analizat për COVID-19

PRISHTINE, 30 prill /ATSH/ -26 punëtorë shëndetësor në Spitalin e Përgjithshëm në Pejë, nuk janë të prekur me Covid-19, analizat e tyre mbrëmë rezultuan negative. Këta janë të testuarit e fundit në këtë spital që janë për infektim të mundshëm me koronavirus.

Që prej përhapjes së Covid-19 në Kosovë e deri më tani, janë testuar 61 pjesëtarë të personelit në Spitalin e Pejës të cilët kanë rezultuar negativ.

Spitali i Përgjithshëm në Pejë bëri të ditur se rastet negative janë inkurajim për punën e personelit aty.

“Mbrëmë ka dalë rezultati edhe për 26 të testuarit e fundit nga Personelin i Spitalit të Përgjithshëm në Pejë që kanë bërë testin lidhur me Infektimin me Koronavirus dhe fatmirësisht të gjithë kanë rezultuar negativ. Ky është lajm i mirë për Personelin tonë, por dhe për pacientët që mund të ndihen të sigurt gjatë marrjes së shërbimeve shëndetësore në Spitalin e Përgjithshëm në Pejë. Që nga fillimi i Pandemisë e deri më tani janë testuar gjithsej 61 pjesëtarë të Personelit tonë dhe rezultatet negative janë inkurajim për punën e Personelit të Spitalit të përgjithshëm në Pejë”, sipas Spitalit të Përgjithshëm të Pejës.

Me Covid-19 deri tani në komunën e Pejës janë infektuar 73 persona, dhe dy kanë vdekur./KosovaPress/

 

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.