Në prill, 9 722 aplikime në QKB për përditësimin e të dhënave nga bizneset

TIRANË, 29 prill/ATSH-Maela Marini/ Në Qendrën Kombëtare të Biznesit vetëm gjatë muajit prill ka pasur 9 722 aplikime për përditësimin e të dhënave nga bizneset.

Në një intervistë televizive, drejtoresha e Qendrës Kombëtare të Biznesit, Pranvera Fagu tha se “vetëm javën e fundit ne kemi pasur 7 926 aplikime dhe sot që flasim deri para një ore numri i aplikimeve ka qenë vetëm 60″.

Fagu tha se është përgjegjësi e vetë bizneseve të përcaktojnë saktë kodin e aktivitetit që ushtrojnë në vetëdeklarimin e tyre, gjë për të cilën në disa raste janë penalizuar në marrjen e pagës së luftës.

“Kjo nuk është padijeni. Duhet të kemi parasysh një gjë që në QKB, të gjitha veprimet kryhen vetë me vullnetin e aplikuesit dhe ka ca rubrika të detyrueshme. Ky aplikim tashmë është online dhe në rubrikën D, ti duhet të përcaktosh kodin e aktivitetit në bazë të objektit të veprimtarisë që ti ke përcaktuar dhe deklaruar për ushtrimin e kësaj veprimtarie në aktivitetin tënd tregtar. Është kodi të cilit nuk i kanë kushtuar kujdesin e duhur, sepse në atë moment kanë pasur vetëm qëllim regjistrimin. Është çështje neglizhence apo padijenie, këtë nuk mund ta them, por është thjesht përzgjedhja e qytetarit dhe vendosja e kodit nga ana e qytetarit”, tha ajo.

Fagu tha se bizneset e krijuara vendosin një aktivitet të gjerë se thonë ta kemi edhe pse duan të ushtrojnë veprimtarinë në një aktivitet të caktuar.

Ajo tha se “në gjithë këtë periudhë fluksin e madh e kemi pasur për dy probleme kryesore: e para, për përditësimin e të dhënave që është e lidhur drejtpërdrejtë me marrjen e lejes së qarkullimit për bizneset e lejuara nga qeveria për ushtrimin e aktiviteteve dhe e dyta, për pagat e luftës që janë përditësimi i kodeve”.

Fagu tha se “në QKB mund të vish kurdo për kodin, nuk ka afat, ndërsa qëllimi për të cilin ata e ndryshojnë këtë kod është tjetër gjë”.

“Të gjitha këto përditësime për sa i përket personave fizikë kryhen online, nuk kanë pse të vijnë në QKB”, tha Fagu. /a.a//r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.