COVID-19/ Komisioni i Ligjeve diskutoi pagesën e qirasë për biznesin e vogël dhe ndryshimet në buxhet

TIRANË, 28 prill/ATSH/ Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut në mbledhjen e sotme të zhvilluar on-line, në drejtimin e kryetarit të komisionit, Ulsi Manja, shqyrtoi 3 Akte normative të Këshillit të Ministrave, si dhe 2 projektligje.
I pari u shqyrtua Akti normativ nr.14, datë 11.04.2020 “Për disa shtesa dhe ndryshime në aktin normativ nr.3, datë 15.03.2020, të Këshillit të Ministrave, “Për marrjen e masave të veçanta administrative gjatë kohëzgjatjes së periudhës së infeksionit të shkaktuar nga COVID-19”, të ndryshuar”, për të cilin ishte në cilësinë e komisionit përgjegjës.

Të ftuar për të prezantuar Aktin normativ ishin Mira Rakacolli zëvendësministre e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dhe Julian Hodaj, zëvendësministër i Brendshëm, të cilët sqaruan se ndryshimet e paraqitura lidhen me dy elementë: shtyrjen e pagesës së qirasë me dy muaj edhe për bizneset që nuk e kanë ndërprerë aktivitetin asnjë ditë, si dhe krijimi i mundësisë për kryerjen e procedurave të përshpejtuara prokurimi transparente nga autoritetet kontraktore për furnizimin me mallra të nevojshme për përballimin e situatës së emergjencës.

Autoritetet kontraktore do të negociojnë vetëm me operatorët e listuar në Agjencinë e Blerjeve të Përqendruara (ABP) sipas mallrave dhe shërbimeve që duan të prokurojnë. ABP-ja do të përditësojë çdo ditë listën e bizneseve që shprehin gatishmërinë e tyre. Deputeti Adnor Shameti gjatë relatimit theksoi se Akti normativ është në përputhje me Kushtetutën dhe legjislacionin në fuqi, si dhe plotëson elementët e nevojës dhe urgjencës. Akti normativ u miratua në tërësi nga anëtarët e komisionit.

Rendi i ditës vijoi me shqyrtimin e aktit normativ nr.15, datë 15.04.2020, “Për disa ndryshime në ligjin nr.88/2019,”Për buxhetin e vitit 2020”, të ndryshuar”, për të cilin ishte komision për dhënie mendimi. Relator ishte deputeti Bashkim Fino dhe e ftuar për prezantimin e aktit normativ ishte Anila Denaj, ministre e Financave dhe Ekonomisë.

Denaj sqaroi se Akti normativ bënë të mundur alokimin e një pakete të dytë financiere me vlerë 7.3 miliardë lekësh për përballimin e situatës emergjente të krijuar nga pandemia COVID-19. Ajo shpjegoi në mënyrë të detajuar ndryshimet që janë bërë në buxhetin e shtetit, me qëllim financimin e masave me karakter social që ka ndërmarrë qeveria, në funksion të lehtësimit dhe rritjes së mbështetjes së punëmarrësve dhe shtresave të tjera të prekura nga pezullimi i punës, si për biznesin e madh, ashtu edhe për pjesën e mbetur të biznesit të vogël. Denaj nënvizoi se Akti normativ nuk prek parametrat makro-fiskal. Akti normativ u miratua nen për nen dhe në tërësi nga anëtarët e komisionit.

Rendi i ditës vijoi me shqyrtimin e Aktit normativ nr.16, datë 17.04.2020 “Për faljen e masave administrative me karakter ndëshkues të vendosura gjatë periudhës së infeksionit të shkaktuar nga COVID-19”, në cilësinë e komisionit përgjegjës. Relatimi u bë nga deputeti Alket Hyseni dhe e ftuar për të sqaruar nismën ishte Mira Rakacolli, e cila sqaroi se qëllimi i këtij akti normativ është falja e masave administrative me karakter ndëshkues të vendosura gjatë periudhës së infeksionit të shkaktuar nga COVID-19, të cilat u vendosën ndaj qytetarëve dhe subjekteve ende të panjohur me masat e vendosura për përballimin e situatës. Pas diskutimeve, Akti normativ u miratua nga anëtarët e komisionit.
Komisioni shqyrtoi më tej në cilësinë e komisionit për dhënien mendimi projektligjin “Për ratifikimin e marrëveshjes së përbashkët të prokurimit ndërmjet RSH, Komisionit Evropian dhe vendeve anëtare të BE-së për të prokuruar kundërmasat mjekësore””.

Të ftuar për prezantimin e projektligjit ishin Mira Rakacolli, zëvendësministre e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dhe Gelardina Prodani, Sekretare e Përgjithshme në këtë ministri dhe relator ishte deputeti Alket Hyseni. Pas diskutimeve, projektligji u miratua në parim, nen për nen dhe në tërësi.

I fundit për shqyrtim ishte projektligji “Për shërbimet e pagesave”¸për të cilin ishte në cilësinë e komisionit për dhënie mendimi. Prezantimi u bë nga Adela Xhemali, zëvendësministre e Financave dhe Ekonomisë dhe Luljeta Minxhozi, zëvendësguvernatore e Parë e Bankës së Shqipërisë dhe relator ishte deputeti Bashkim Fino, i cili paraqiti dhe disa propozime për riformulimin e disa neneve të veçanta.

Xhemali gjatë prezantimit sqaroi se projektligji synon promovimin e përfshirjes financiare të popullsisë dhe nxitjen e përdorimit të instrumenteve elektronike të pagesave. Ajo theksoi se miratimi i këtij projektligji synon të ulë informalitetin dhe përdorimin e parasë fizike në ekonominë shqiptare. Pas diskutimeve, projektligji në fjalë u miratua në parim, nen për nen dhe në tërësi.
Mbledhja e sotme e komisionit u zhvillua përmes platformës së komunikimit online, Cisco Webex.

/gj.mima/j.p//r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.