Kurti: Kush kërcënon anëtarët e rinj të bordeve, do të përballet me ligjin

PRISHTINE, 26 prill /ATSH/ -Kryeministri në detyrë Albin Kurti, pas anulimit të konferencës së përbashkët me ministren në detyrë të Ekonomisë, Rozeta Hajdari, e paraparë në oborrin e Qeverisë për shkak të motit të papërshtatshëm, u është adresuar mediave përmes një video, ku ka folur për shkarkimet e fundit në bordet e ndërmarrjeve publike.

Qeveria në detyrë e Kosovës së fundit ka shkarkuar bordet e ndërmarrjeve publike Telekom, KEK, Infrakos, Ibër-Lepenc, Ujësjellin rajonal Hirdoregjioni në Prizren.

Kryeministri në detyrë Kurti  tha se në këto ndërmarrje kanë gjetur parregullsi, të cilat do të paraqiten në organet e hetimit.

Kurti  paralajmëroi të gjithë ata që kërcënojnë bordet e reja të këtyre ndërmarrjeve do të përballen me ligjin më fuqishëm se asnjëherë më parë.

Ndërsa ministrja Hajdari tregoi arsyet e shkarkimeve të fundit në bazë të të gjeturave në Telekom, KEK, Ibër-Lepenc, Hidroregjioni, Infrakos. Ajo tha se gjatë vitit 2018, humbjet e Telekomit kanë qenë 15,6 milionë euro, ndërsa më 2019 janë regjistruar 23,6 milionë euro humbje.

Ajo foli edhe për parregullsitë në KEK, ku janë ndarë bonuse për bordin në kundërshtim me vendimin e Ministrisë së Ekonomisë të vitit 2017, shpenzime të paplanifikuara, probleme në prokurim, shkelje në punësim dhe nepozitëm.

Ministrja Hajdari përmendi edhe disa nga keqmenaxhimet dhe shkeljet e kryeshefit ekzekutiv Agron Thaqi, të shkarkuar nga ndërmarrja Infrakos, i cili ka  aktakuzë të ngritur nga Prokuroria Themelore në Prizren për keqpërdorim të pozitës dhe autoritetit zyrtar./KosovaPress/

 

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.