Balla në Përrenjas: Nis shpërndarja e 1 mijë pakove në ndihmë të familjeve në nevojë

TIRANË, 23 prill/ATSH/ Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, në ditën e parë të muajit të Ramazanit ishte në qendrën e paketimit dhe shpërndarjes së pakove ushqimore në qytetin e Përrenjasit, prej ku filluan sot të shpërndahen për familjet në nevojë 1000 pako të tjera ushqimore.

Balla tha se çdo vit gjatë muajit të Ramazanit nuk ka munguar solidariteti me familjet në nevojë, por këtë vit situata është e jashtëzakonshme dhe mbështetja për më nevojtarët është e domosdoshme.

Sipas Ballës, operacioni humanitar do të vijojë deri në fund të kësaj lufte.

“Në këtë ditë të parë të muajit të shenjtë të Ramazanit, bashkë me kryetarin e bashkisë Nuri Belba ishim sot në qendrën të paketimit dhe shpërndarjes së pakove ushqimore në qytetin e Përrenjasit, prej ku filluan sot të shpërndahen për familjet në nevojë 1000 pako të tjera ushqimore. Për çdo vit gjatë muajit të Ramazanit nuk ka munguar solidariteti me familjet në nevojë, por këtë vit situata është e jashtëzakonshme dhe mbështetja për më nevojtarët është e domosdoshme”, tha ai.

Balla tha se “Përrenjasi për fat ende nuk ka patur persona të identifikuar me COVID-19 dhe mbyllja e kufirit me Maqedoninë e Veriut ka qenë padyshim vitale për mospërhapjen e armikut prej anës tjetër të kufirit, në këtë bashki.

Ai tha se pjesa e parë e operacionit humanitar në këtë bashki u krye me ndihmën e organizatave, bizneseve, kontributeve individuale, ndërsa do të vijojë puna edhe më tej për t’ju gjendur çdo familje në nevojë, por edhe çdo të moshuari të vetmuar me shërbimet që ka nevojë.

“Pakot ushqimore që po shpërndahen sot janë blerë sipas procedurave të përcaktuara nga Qeveria bazuar në Fondin e Emergjencave Civile të Bashkisë Përrenjas. Janë pako të plota ushqimore të cilat përmbajnë të gjitha produktet e domosdoshme për një familje e që i mundësojnë të mos dalin nga shtëpitë. Vendimi i Qeverisë ka përcaktuar qartë cilat janë familjet që përfitojnë”, tha Balla.

Ndërkohë, ai shtoi se “në Përrenjas edhe procesi i shpërndarjes së ndihmës ekonomike të dyfishuar për shkak të luftës ka përfunduar”.

“Dua t’u them të gjithë atyre që këtë situatë lufte e shohin nga divani, se ky operacion humanitar, i cili u ka ardhur në ndihmë rreth dhjetëra-mijëra familjeve në të gjithë Shqipërinë, është një detyrim që qeveria ka ndaj atyre që sot janë në nevojë. Ky operacion humanitar do të vijojë deri në fund të kësaj lufte”, tha Balla.

/m.m/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.