Topalli: Po të isha në krye të opozitës do bashkëpunoja me qeverinë, jo duke e përdorur COVID-19 për pushtet

TIRANË, 14 prill /ATSH – I. Vata/ Ish-kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli tha sot se do të bashkëpunonte me qeverinë për t’u përballur me COVID-19, ndërsa u bëri thirrje qytetarëve të Shkodrës të respektojnë masat e qëndrimit në shtëpi dhe distancimin social.

E vendosur në vendin e kryetares së opozitës, Topalli tha gjatë një interviste televizive se do të bashkëpunonte me qeverinë në këtë situatë, pa e përdorur për pushtet.

Topalli u shpreh se “bashkëpunimi është shumë i rëndësishëm, kur është fjalë për jetën dhe mbijetesës, sigurisht që aty nuk ka vend për të bërë politik. Në këtë aspekt do kisha ofruar bashkëpunim, duke kërkuar edhe masat të reja më të forta, jo duke e përdorur COVID-19 për karrigen e pushtet. Nuk do rri e heshtur, do flas për secilin nga ato.

Në vijim, Topalli tha se kam respektuar të gjitha masat e marra nga qeveria për karantinimin, që ditën e parë sepse respektimi i rregullave është mundësia për tu përballur me këtë virus, prandaj respektimi i rregullave është alfa”.

“Nuk do të doja kurrë që Shkodra, vatër e kulturës dhe e dijes, sot të jetë një vatër e sëmundjes COVID-19. Do të doja që qyteti im të mos shkelte rregullat e karantinës dhe thirrja ime është për qytetarët e Shkodrës të respektojnë rregullat”, tha ajo.

Topalli tha se “nuk e pranoj kurrë që të politizohet virusi, sepse askush nuk e di se ç’do të ndodhë me jetë tona. Unë e refuzoj politizimin e pandemive është një moment kyç ku duhet të zotërojë bashkëpunimi dhe solidaritet, nuk është vendi për t’u ndarë, por për t’u bashkuar”.

Në lidhje me masat e qeverisë dhe debatin me testimin, Topalli tha se “debati për testimet është debat global, nuk mund ta trajtojmë këtë çështje thjesht si në Shqipëri, se është betejë planetare, janë tema të debateve që zhvillohen në çdo vend. Shikoni Portugalinë dhe Spanjën. Në Portugali vetëm për shkak të zbatimit të masave numri i të prekurve është shumë më i ulët se ai në Spanjë, prandaj ftesa ime është që të qëndrojnë në shtëpi, të vendosin maskën dhe të respektojnë distancën kur e kanë të domosdoshme”. /a.g//r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.