JAPONI – Abe nën presion nga shpërthimi i rasteve me COVID-19

TOKIO, 11 prill /ATSH-DPA/ – Rreth tri javë më parë, qeveria e kryeministrit japonez Shinzo Abe po bënte presion për zhvillimin në kohën e caktuar për Lojërat Olimpike të Tokios, edhe pse koronavirusi po përhapej globalisht duke vrarë mijëra njerëz.

Që nga shtyrja e Lojërave Olimpike, që u vendos në 24 mars, numri i rasteve të koronavirusit në Japoni është rritur ndjeshëm, duke bërë që më shumë ekspertë t’i bënin thirrje qeverisë të ndërmerrte veprime urgjente.

Satoshi Kamayachi, një anëtar i bordit të Shoqatës Mjekësore Japoneze, tha javën e kaluar se shumica e ekspertëve paralajmëruan në grup një rritje shpërthyese të infeksioneve.

Japonia ka parë një normë alarmante të rritjes së numrit të rasteve të konfirmuara gjatë ditëve të fundit.

”Vendi konfirmoi dje 634 raste të reja me koronavirus, një rritje rekord për ditën e katërt rresht, duke e çuar totalin në 6 885, përfshirë 712 në një anije të karantinuar pranë Tokios, në shkurt”, sipas një njoftimi të Kyodo News.

Abe nuk ka pranuar ta fusë Japoninë në një bllokim mbarëkombëtar duke thënë se situata në qytetet kryesore të Japonisë ishte krejtësisht e ndryshme nga qytetet e mbyllura jashtë vendit.

Shërbimet e trenave në qytetet e mëdha funksionojnë normalisht. Sidoqoftë, rrugët periferike në Tokio janë të qeta, ndërsa dyqanet kryesore janë mbyllur.

Më shumë se 130 persona kanë vdekur nga Covid-19.

Ky është kontrast i fortë me 30 rastet e reja që Koreja e Jugut raportoi në të njëjtën ditë.

Qeveria e Abe është akuzuar se fsheh numrin e vërtetë të rasteve të koronavirusit.

“Vendimi i qeverisë japoneze për të mos testuar gjerësisht e bën të vështirë për të vlerësuar me saktësi shkallën e mbizotërimit të Covid-19”, tha ambasada e SHBA në Tokio./ a.jor.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.