Propozimet e Dhomës Amerikane të Tregtisë, Basha: Pas shëndetit, ekonomia duhet të jetë prioritet absolut

TIRANË, 8 prill/ATSH- A. Fortuzi/ Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, i ka vlerësuar të drejta shqetësimet e Dhomës Amerikane të Tregtisë, teksa thekson se Qeveria shqiptare duhet të rialokojë fondet e vendosura në buxhet për PPP-të

Përmes një mesazhi Basha thekson se, “shqetësimet dhe propozimet e Dhomës Amerikane të Tregtisë janë të drejta. I kam kërkuar qeverisë angazhimin e të gjitha resurseve ekonomike në buxhet për të mbështetur biznesin nga vështirësitë e shkaktuara prej pandemisë”.

“Qeveria shqiptare duhet të rialokojë fondet e vendosura në buxhet për PPP-të, nga shpenzimet operative si edhe nga investimet publike dhe ti vërë ato në funksion të nevojave shëndetësore dhe ekonomike”, – vijoi Basha.

“Fondet e shpallura nga qeveria prej 50 milionë euro në total për 3 muaj, për shtresat në nevojë, pagat e biznesit të vogël dhe pagesën e papunësisë, nuk i mbulojnë nevojat e krizës”, – shton Basha.

“Pas shëndetit, ekonomia duhet të jetë prioritet absolut i qeverisë. Shqipëria ka nevojë për masa gjithëpërfshirëse dhe jo fjalë. Koha është tani, sepse çdo vonesë do kushtojë shtrenjtë”, – përfundon kreu i PD.

Dhoma Amerikane e Tregtisë në Shqipëri përmes një njoftimi vlerësoi sot veprimet e Qeverisë për të mbrojtur popullin shqiptar nga përhapja e COVID-19, por ngriti shqetësimin se rënia e të ardhurave po pengon shumë biznese të përmbushin detyrimet e tyre financiare, përfshirë më të rëndësishmen, pagimin e punonjësve të tyre.

Dhoma i bëri thirrje Qeverisë të ndërmarrë disa hapa të vështirë, por kritikë për të mbështetur të gjithë punëdhënësit në Shqipëri gjatë kësaj periudhe. /j.p//r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.