12 raste me COVID-19 brenda 24 orëve në Shkodër, Rakacolli: Reflekton mosrespektimin e distancimit social

TIRANË, 3 prill/ATSH/ Nga rastet e reja të 24 orëve të fundit, Shkodra ka numrin më të lartë me 12 raste.

Zv/ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Mira Rakacolli në komunikimin për mediet u shpreh se këto raste janë identifikuar në dy rrethe familjare.

“Këto raste janë identifikuar në dy rrethe familjare, mes tyre është dhe një fëmijë 13-vjeçar, që janë identifikuar falë gjurmimit të rasteve të kryera nga epidemiologët në terren.
Kjo rritje e numrit të rasteve në Shkodër tregon edhe njëherë mos respektimin e distancimit social dhe masave të kontrollit të infeksionit që Ministria e Shëndetësisë vijon të rekomandojë çdo ditë ne komunikimet publike. Aktualisht po kryhet hetimi epidemiologjik në terren edhe me një ekip të Institutit të Shëndetit Publik”, – tha Rakacolli.

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale u ka bërë apel qytetarëve të vijojnë të respektojnë masat e distancimit social. “Është po kaq e rëndësishme që masat e kontrollit të infeksionit të respektohen maksimalisht edhe brenda rretheve familjare duke shmangur vizitat tek të afërmit për çdo lloj arsye për të parandaluar transmetimin e COVID-19”. z.tosku/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.