COVID-19/ Masat kufizuese po funksionojnë, të kujdesshëm të mos hedhim hapa të gabuar

TIRANË, 1 prill/ATSH/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se 10 ditët në vijim janë shumë të rëndësishme në përcaktimin e profilit të luftës kundër COVID-19 dhe në krijimin e një ideje të përafërt mbi thellësinë e penetrimit të armikut.

Në një intervistë në media, Kryeministri Rama theksoi se nuk mund të flasim sot për atë që do të ndodhë e do të vijë nesër, sepse dua që të gjithë të jemi të përqendruar te dita që kemi përpara.

“Të gjithë kemi të drejtë të dimë të gjitha, por ajo që duhet të dimë mbi të gjitha, është se kjo është një luftë dhe ne duhet të rezistojmë për ekzistencë. Prioriteti i prioriteteve është jeta, mbrojtja e jetës së secilit dhe secili në mbrojtje të atyre që ka rreth e rrotull, përveç jetës së tij”, u shpreh kryeministri.

Kryeministri bëri të ditur se shifrat e të infektuarve tregojnë qartë se masat tona po funksionojnë.

“Vërej një lloj ndjesie që po përhapet se ne e kaluam, se pse duhet të vazhdojmë të rrimë në shtëpi, se numrat janë të ulët dhe se skenari katastrofik nuk u materializua, pasi kemi shumë herë më pak viktima sesa parashikohej në këtë skenar, por këto nuk thonë asgjë, për sa kohë armikun e kemi mes nesh. Shifrat tregojnë qartë që masat tona po funksionojnë“, deklaroi kreu i qeverisë.

Rama tha se sjelljen e armikut nuk e di askush, por e rëndësishme është të fokusohesh tek ekzistenca.

“Do të thotë se shëndeti dhe mbrojtja e familjes është mbi çdo gjë”, u shpreh Rama.

Lidhur me masat që parashikon qeveria të marrë në vijim, Rama tha se duhet të jemi shumë të kujdesshëm, që të mos hedhim hapa të gabuar ndërkohë që burimet në dispozicion nuk janë të kufizuara.

“Duhet të jemi strategjik për të mos hedhur hapa të gabuar”. tha ai./a.gjonaj//j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.