Shkodër/ Prefekti Millaj: Ndihma për familjet në nevojë, kontrolle masave shtrënguese në gjithë qarkun

TIRANË, 28 mars /ATSH – I. Vata/ Prefekti i Qarkut Shkodër, Çesk Millja tha sot se Komisioni i Mbrojtjes Civile, ka koordinuar veprimtarinë e të gjitha strukturave, inspektorateve dhe bashkive për realizimin e detyrave në kuadrin e zbatimit të akteve normative dhe urdhrave përkatëse.

Millaj tha se situata e rendit publik në të gjithë territorin e qarkut është e qetë por gjatë paradites së sotme në raport me ditët e tjera është konstatuar lëvizje më e dendur e njerëzve pranë dyqaneve të bukës, minimarketeve dhe tregjeve, duke shkelur edhe rregullat e distancimit e të përdorimit të mjeteve mbrojtëse.

Millaj thekson se janë marrë masa ndëshkuese për të gjithë shkelësit.

“Nga DVP, gjatë 24 orëve të fundit janë marrë rreth 32 masa ndëshkuese, ndaj kundërvajtësve që kanë shkelur rregullat e qarkullimit, shërbimit tregtar apo vetëkarantinimit. Janë kontaktuar rreth 27 persona për detyrim vetëkarantinimi. Pas orës 13:00 grupet e punës së DVP, FNSH, Ushtrisë dhe Policitë bashkiake kanë marrë masat për ndalimin e qarkullimit të plotë në të gjithë territorin e qarkut. Nga inspektoratet janë inspektuar gjatë ditës së sotme rreth 30 subjekte ofrues të shërbimeve, si fast food, farmaci, bar-kafe, minimarkete, etj., ndaj të cilave nuk u morën masa ndëshkuese, ndërkohë që u konstatuan të mbyllura rreth 40 subjekte të tjera”, tha ai.

Po ashtu Millaj tha se janë marrë masa për mbështetjen me ndihma të familjeve në nevojë.

“Gjatë ditës së sotme nga Komisioni për Mbrojtje Civile është koordinuar veprimtaria e Drejtorisë Rajonale të Sigurimeve Shoqërore me të gjitha bashkitë për të shkëmbyer listat totale që disponon institucioni ISSH me bashkitë, me qëllim që ti krijohet mundësia bashkive për të mbështetur me ndihmat ushqimore kryesisht dhe vetëm familjet që janë aktualisht në nevoja ekstreme. Ky bashkëpunim do të vijojë edhe gjatë ditëve në vijim”, tha ai.

Gjithashtu, Millaj tha se vijon hetimi epidemiologjik mbi kontaktet e dyshuara të të infektuarve me COVID-19.

“Nga NJVKSH-të, po ndiqet e monitorohet situata epidemiologjike në të gjithë territorin e Qarkut dhe bashkitë e cila është përqendruar intensivisht në 4 rastet e shfaqura pozitivë, duke vijuar gjurmimin, e vetëkarantinuar dhe dezinfektimin e të gjithë rrethit familjar e shoqëror që lidhen me rastet. Vijon hetimi epidemiologjik mbi kontaktet e dyshuara. Gjendja shëndetësore e personave të konfirmuar pozitiv që nuk janë hospitalizuar është e mirë. Vazhdon trajnimi personelit i stafeve të mjekeve të QSH në të gjitha bashkitë, si dhe në bashkëpunim me farmacitë ka vazhduar shpërndarja ilaçeve në banesat e pensionisteve mbi 65 vjeç në të gjithë Qarkun Shkodër. NJVKSh kanë dërguar edhe 5 mostra të dyshuara nga bashkia Shkodër dhe 2 nga bashkia Vau Dejës në ISHP Tiranë, për të cilat pritet përgjigja e analizave”, tha ai.

Për sa i përket shtetasve që hyjnë nga pikat e kalimit kufitar, Millaj tha se “nga Dogana e Hanit të Hotit, gjatë 24 orëve të fundit kanë udhëtuar rreth 190 shtetas, prej të cilëve 66, shqiptarë dhe 133 të huaj. Numri i personave që u është matur temperatura është 120, numri i skedave të plotësuara 120”.

“Bashkitë kanë vijuar punën për dezinfektimin e ambienteve të institucioneve shtetërore dhe private, rrugëve trotuareve dhe mbështetjen e familjeve në nevojë me ndihma ushqimore. KMC po e monitoron situatën duke koordinuar veprimtarinë e të gjitha institucioneve anëtare dhe Komisioneve të Mbrojtjes Civile në Bashkitë, në zbatim të urdhrit për ndalim të plotë të qarkullimit në të gjithë territorin e Qarkut Shkodër”, tha ai.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.