COVID-19 – Policia indiane përdor metodën e turpërimit për shkelësit e karantinës

NJU DELHI, 25 mars /ATSH-DPA/ – Policia indiane po përdor një metodë të re, atë të turpërimit publik për të detyruar njerëzit të qëndrojnë në shtëpi për të luftuar përhapjen e koronavirusit.

Një njësi policore në qytetin e Baligudas, në shtetin e Odishas, kapi sot një grup njerëzish që lëviznin duke shkelur kështu urdhrat e bllokimit.

Si ndëshkim, ata bënë fotografi të këtyre shkelësve duke iu vendosur postera, ku shkruhej ”Unë jam një person egoist dhe mund ta vë komunitetin në rrezik duke  shëtitur dhe për këtë gjë nuk më vjen keq!”.

“Ne kemi bërë fotografi të tyre duke mbajtur këto postera dhe i kemi qarkulluar në platformat e mediave sociale. Shpresojmë se kjo do t’i ndalojë të tjerët të shkelin protokollet që kemi vendosur”, tha një zyrtar i policisë.

Video të ngjashme nga gjithë India po qarkullojnë në mediat sociale dhe kanalet televizive.

“Unë jam një armik i shoqërisë!”, lexohet në një poster ”të mbajtur” nga disa të arrestuar të tjerë nga policia e shtetit Madhya Pradesh.

“Ju mund ta shihni këtë si një eksperiment social, për të cilin shpresojmë se do t’i bëjë këta njerëz dhe të tjerët të qëndrojnë në shtëpi”, shefi i policisë së këtij shteti, Hitesh Choudhury.

Ndërsa numri i rasteve pozitive të koronavirusit u ngjit mbi 500, vendi me 1,3 miliardë banorë u vu nën një bllokim të plotë për 21 ditë nga mesnata e së martës.

Të gjitha trenat dhe fluturimet janë anuluar dhe urdhrat që ndalojnë grumbullimet e më shumë se katër personave tani janë vendosur në të gjithë vendin.

Banorët lejohen të dalin vetëm për të blerë sende ushqimore, ilaçe dhe sende të tjera thelbësore./ a.jor.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.