COVID-19/ Ambasada: Rumania shpall gjendjen e Jashtëzakonshme

TIRANË, 22 mars/ATSH/ -Në kuadër të Gjendjes së Jashtëzakonshme dhe luftës për të parandaluar përhapjen e virusit COVID -19, Qeveria e Rumanisë ka marrë disa masa.

Ambasada e Rumanisë në Shqipëri me anë të një njoftimi për shtyp lajmëron qytetarët shqiptarë se, “duke filluar nga data 22 mars 2020, ora 22.00, pezullohet përkohësisht aktiviteti i klinikave dentare, me përjashtim të ndërhyrjeve stomatologjike urgjente. Pezullohet përkohësisht aktiviteti i qendrave tregtare duke filluar nga data 22 mars 2020, ora 22.00”.

“Duke filluar nga data 23 mars 2020, ora 22.00 ndalohet qarkullimi i personave në intervalin kohor 22.00 – 06:00. Përjashtohen nga ky rregull: Lëvizjet në interes të punës atëherë kur puna nuk mund të bëhet në distancë dhe është e natyrës urgjente;

Lëvizja për t’u kujdesur për fëmijët, të moshuar në nevojë, personave me aftësi të kufizuara apo vdekje në familje;

Lëvizja për të marrë prodhime bazë të nevojshme personale, për kafshët shtëpiake apo për të marrë mallra në nevojë të punës;

Lëvizja për të marrë asistencë mjeksore, kur kjo nuk mund të shtyhet dhe nuk mund të bëhet në distancë;

Lëvizjet e shkurtra në afërsi të banesës, për aktivitet fizik individual dhe nevojat e kafshëve shtëpiake;

COVID-19 Personat që lëvizin gjatë ndalim qarkullimit duhet të kenë me vete leje kalimin e punës, ose një letër me firmën e punëdhënësit, ose një deklaratë me përgjegjësinë personale ku të jenë të shkruara: emër mbiemër, data e lindjes, adresa e banimit dhe motivi i lëvizjes”, theksohet në njoftim.

“Gjatë intervalit orar 06:00 – 22:00, rekomandohet që lëvizjet e personave të bëhen bazuar në udhëzimet dhe këshillat e deritanishme të autoriteteve, si dhe evitimin e formimit të grupeve me më shumë se 3 persona që nuk janë të një familje”, thuhet në njoftim.

“Përjashtohen nga kufizimet e më sipërme punonjësit e rendit publik dhe sigurisë kombëtare, diplomatët, punonjësit e Qeverisë dhe ata të Administratës Presidenciale. Ndalohet organizimi i aktiviteteve fetare publike; Aktivitetet familjare (dasma, pagëzime dhe vdekje) mund të organizohen vetëm me pjesëmarrjen e maksimumi 8 persona”, theksohet në njoftim

“Duke filluar nga data 22 mars 2020, ora 22:00, ndalohet hyrja në territorin e Rumanisë e shtetasve të huaj, me përjashtim të rasteve kur këta tranzitojnë në korridore të organizuara përmes marrëveshjeve me vendet fqinje; Nga ky rregull përjashtohen: Anëtarët e familjes të qytetarëve rumun;

Anëtarë të familjes së qytetarëve të BE-së, të Hapësirës Ekonomike Evropiane apo të Konfederatës Zviceranë, me rezidencë në Rumani;

Personat e pajisur me vizë afatgjatë ose Leje qëndrimi në Rumani, ose të një dokumenti të barazvlefshëm të lëshuar nga shtete të tjera, sipas të drejtës së Bashkimit Europian;

Personat që lëvizin në interes profesional, e vërtetuar kjo përmes vizës, lejes së qëndrimit apo një dokumenti tjetër të barazvlefshëm;

Personeli diplomatik dhe konsullor, personeli i organizatave ndërkombëtare, personeli ushtarak ose personeli që mund të sigurojë ndihmë humanitare;

Pasagjerët tranzit, përfshirë edhe të riatdhesuar në vijim të dhënies së mbrojtjes konsullore;

Pasagjerët që udhëtojnë për motive të forta urgjence (mjëksore apo familjare);

Personat që kanë nevojë për mbrojtje ndërkombëtare ose për motive të tjera humanitare”, thuhet në njoftim.

/gj.mima/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.