Koronavirusi/ Manastirliu: Sistemi shëndetësor i përgatitur për të përballuar situatën, pajisjet respiratore janë të mjaftueshme

TIRANË, 9 mars/ATSH-Maela Marini/ Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu deklaroi sot se “sistemi shëndetësor është i përgatitur për të përballuar situatën me koronavirusin”.

E ftuar në një studio televizive, Manastirliu tha se “kemi 3 skenarë që i kemi përgatitur në planin e hartuar nga ekspertët, dhe edhe në rastin e skenarit të pandemisë për një numër të caktuar qytetarësh do të mundemi t’i përballojmë”.

“Sistemi shëndetësor ka faktuar edhe para 9 vitesh, kur nuk ka qenë i pajisur, e ka përballuar se ka mjekë profesionistë dhe infermierë të mrekullueshëm dhe këta mjekë e kanë treguar në histori se e kanë përballuar”, tha Manastirliu.

Për përballimin e situatës, ajo theksoi se “ka një plan dinamik fleksibël që nuk ka të bëjë vetëm me Infektivin”. “Nëse do të kemi mbi 100 raste, kemi në skenar edhe spitalin ‘Shefqet Ndroqi'”.

“Kësaj sfide do t’ia dalim në raport me sistemin publik. Është abuzuar për sa i përket rastiti të pajisjeve. Kemi një sasi të mjaftueshme aparatesh respiratore. Janë të mjaftueshme, janë funksionale dhe qeveria sot ka alokuar 400 milionë lekë për të furnizuar flotën e pajisjeve respiratore”, tha ministrja.

Qeveria ka marrë masa shumë të shpejta, tha Manastirliu, ndërsa theksoi se “OBSH e ka thënë qartazi se nuk rekomandon mbylljen e kufijve”.

Pasi tregoi kronologjinë që kanë ndjekur evidentimi i rasteve të prekura, ministrja theksoi se “karantina është për njerëzit e shëndetshëm”.

“Dy personat, djali dhe babai janë shtruar në infektiv, po marrin terapitë dhe nga një informacion që kam, gjendja e tyre është mesatare”, tha ministrja.

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.