“Po rindërtojmë Shëndetësinë që e lanë gërmadhë”/ Braçe-Manastirliu në qendrën e re shëndetësore të Grabjanit

TIRANË, 21 shkurt/ATSH/ “Kur patën mundësi për ta bërë shëndetësinë e lanë gërmadhë, ndërsa tani flasin se si mund të ishte shëndetësia që ata e shkatërruan”, deklaroi sot ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, e cila bashkë me zv/kryeministrin Erion Braçe inspektuan qendrën e re shëndetësore në Grabjan të Divjakës.

Braçe dhe Manastirliu iu përgjigjën tryezës së Partisë Demokratike për shëndetësinë.

“Fjalët tona janë punët që bëjmë, puna e tyre janë fjalët”, u shpreh zv.kryeministri Erion Braçe, gjatë inspektimit të qendrës së Grabjanit, e rindërtuar nga e para në kuadër të programit të rehabilitimit të 300 qendrave shëndetësore.

Ndërsa, ministrja Manastirliu tha se “nuk është investuar në 30 vite për qendrat shëndetësore dhe ata që kur e kishin mundësinë e lanë shëndetësinë gërmadhë sot mblidhen në tryeza dhe flasin si duhej të ishte shëndetësia”.

Ministrja e Shëndetësisë deklaroi se si qendra e Grabjanit, janë rindërtuar me të njëjtin standard 180 qendra shëndetësore nga veriu në jug, në çdo cep të vendit dhe puna do të vijojë me 120 qendra dhe ambulanca të tjera./m.m/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.