QKB bëhet anëtare e Portalit Rajonal të Regjistrave të Biznesit të Ballkanit Perëndimor

TIRANË, 20 shkurt /ATSH/ Qendra Kombëtare e Biznesit (QKB), autoriteti shqiptar i regjistrimit të biznesit, që nga sot, bëhet anëtare e Portalit Rajonal të Regjistrave të Biznesit të Ballkanit Perëndimor – BIFIDEX.

Pranvera Fagu Behushi, drejtoreshë e QKB së bashku me Milan Lučić, President i BIFIDEX dhe, njëkohësisht drejtor i Agjencisë së Regjistrimit të Biznesit Serbi, firmosën në Tiranë Marrëveshjen e Bashkëpunimit.

Ministri i Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes, Eduart Shalsi, theksoi mbështetjen për zhvillimin e ardhshëm të shërbimeve BIFIDEX, për më shumë se 700 000 ndërmarrje dhe subjekte tregtare dhe me shumë se 2 000 000 përfaqësues dhe pronarë të kompanive.
Ky bashkëpunim është mundësuar nga BERZH, në koordinim me Fondin për Mirëqeverisje të Mbretërisë së Bashkuar. Gjithashtu, ky bashkëpunim, është një hap tjetër i rëndësishëm për zhvillimin e ekonomisë dhe biznesit.

Me pranimin e regjistrit tregtar shqiptar, të administruar nga Qendra Kombëtare e Biznesit, zgjerohet numri i regjistrave të përfshirë në këtë portal, duke e çuar në pesë anëtarë aktivë: Serbia, Maqedonia e Veriut, Shqipëria, Mali i Zi, Bosnja dhe Hercegovina (Republika e Srpska). Ndërkohë, pritet që Kosova dhe Bosnja dhe Hercegovina (Federata e Bosnjë- Hercegovinës) do t’i  bashkohen BIFIDEX gjatë vitit 2020.

Gjatë fjalës së saj Behushi shprehu një falënderim të veçantë për Fondin për Mirëqeverisje të Mbretërisë së Bashkuar (GGF UK) dhe bankën Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) për mbështetjen financiare të dhënë për realizimin e këtij projekti, si dhe për Bordin Drejtues të Portalit, si përfaqësues i të gjitha regjistrave rajonalë të biznesit nga vendet e Ballkanit Perëndimor.

Gjithashtu ajo theksoi se QKB vijon të mbetet e angazhuar për lehtësimin e mëtejshëm të procesit të regjistrimit të biznesit, si dhe për rritjen e transparencës.

“Falë këtij projekti mundësohet komunikimi në korë reale i të dhënave të besueshme, të përditësuara për të gjitha subjektet tregtare të regjistruara në regjistrat tregtare të vendeve pjesëmarrëse, si dhe mundësohet baza për krijimin e shërbimeve globale për të gjitha subjektet në shtetet palë.  Gjithashtu portali do të mundësoje ndërlidhjen e bizneseve shqiptare me ato të rajonit, duke bërë të mundur rritjen e bashkëpunimin ekonomik dhe tregtarë të vendeve të rajonit”, – tha Behushi në fjalën e saj.

Drejtuesi i BERZH për Shqipërinë Matteo Colangeli tha se është është i lumtur që Shqipëria iu bashkua këtij regjistri, një iniciativë kjo e mbështetur nga BERZH që nga viti 2015. “Ne shprehim gatishmërinë për të vijuar bashkëpunimin ne QKB-në për të rritur cilësinë dhe aksesin në të dhënat e biznesit në Shqipëri, gjë e cila është shumë e rëndësishme për tërheqjen e investimeve dhe politikëbërjen në fushën ekonomike”, – tha Colangeli.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.