Konferenca e Donatorëve, Gjylameti: Vëmendje e veçantë e Europës për të na ardhur në ndihmë

TIRANË, 17 shkurt/ATSH/ Deputetja e Partisë Socialiste, njëkohësisht, anëtare e Komisionit të Ekonomisë, Blerina Gjylameti shprehet se Konferenca e Donatorëve që do të mbahet sot në Bruksel tregon jo vetëm solidaritetin e Europës ndaj vendit, por edhe vëmendjen e veçantë për të na ardhur në ndihmë.

“Sot në Bruksel, gati 100 shtete do t’i japin dorën e tyre Shqipërisë, duke imponuar pozitivisht ndaj nesh mirënjohjen dhe nga ana tjetër, duke treguar se më shumë se një përkrahje na konsiderojnë një familje”, deklaroi Gjylameti.

Në Bruksel zhvillohet sot Konferenca Ndërkombëtare e Donatorëve e iniciuar nga Bashkimi Europian në ndihmë të Shqipërisë, pas tërmetit shkatërrues të 26 nëntorit. Qeveria shqiptare shkon aty me pritshmëri modeste.

Qeveria shqiptare si dhe ekspertë nga Bashkimi Europian, OKB-ja dhe, Banka Botërore punuan për hartimin e raportit të vlerësimit për dëmet e tërmetit dhe nevojat për rindërtim, i cili u prezantua pak ditë më pare në Tiranë. Raporti do të shërbejë si bazë orientuese për Konferencën e Donatorëve të hënën dhe përpjekjet për rindërtimin dhe rehabilitimin e pasojave të tërmetit.

Si pasojë e tërmetit u prekën më shumë se 47 mijë vetë drejtpërdrejt nga tërmeti, ndërkohë që 17 mijë qytetarë u detyruan të zhvendosen për shkak të humbjes së shtëpive. Zonat më të prekura janë Shijaku, Durrësi, Kruja, Tirana, Kamza, Kavaja, Kurbini dhe Lezha.

Raporti e llogarit shifrën e përgjithshme të dëmeve të tërmetit 985 milionë euro, ndërsa  nevojiten për rindërtim 1,073 miliardë euro.

Konferenca e donatorëve bahet nën drejtimin e vetë presidentes së Komisionit Europian, Ursula von der Leyen. Prezentë do të jenë edhe kreu i Këshillit të BE, Charles Michel dhe komisioneri i Zgjerimit, Olivér Várhelyi, asistentja e Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Mirjana Spoljaric. /a.gjonaj/
.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.