TIRANË, 5 shkurt /ATSH/ Që nga 3 shkurti është hapur zyra rajonale e Shërbimeve të Transportit Rrugor në Bulqizë.
Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor thekson se ky është një lajm i mirë për qytetarët e Bulqizës e jo vetëm.
Hapja e kësaj zyre lehtëson 5093 zotërues mjetesh dhe 6668 drejtues mjetesh.
Gjithashtu falë kësaj zyre rajonale afrohen pranë qytetarëve, 8 procedura dhe 50194 shërbime në vit.
Hapja e kësaj zyre në Bulqizë eliminon 94 kilometra vajtje-ardhje, 2 orë rrugë vajtje-ardhje (Bulqizë-Peshkopi).
Në këtë zyrë ofrohet aplikimi dhe rinovimi i lejedrejtimit, aplikimi dhe rinovimi i Dëshmisë dhe Certifikatës Personale, dokumenti i lejedrejtimit dhe i CAP. Gjithashtu ofrohet certifikata e pronësisë së mjetit, lejedrejtimi të përkohshme dhe lejeqarkullimi të përkohshme, pagesa e taksës së mjetit, transferim i dosjeve të drejtuesit të mjetit dhe i dosjeve të mjetit.
Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor thekson se, “prioritet është aksesi te shërbimet për të gjithë qytetarët. Risi që lehtësojnë jetën”.
/gj.mima/