PRISHTINË, 3 shkurt /ATSH/ Qeveria Kurti ka marrë votat e mjaftueshme në Kuvendin e Kosovës. Ishin 66 deputetë që votuan pro qeverisë së re, dhe 10 abstenime.
Seanca nisi me prezantimin e programit nga Albin Kurti, tanimë kryeministër i Kosovës, për të vazhduar me deklaratat e grupeve parlamentare dhe prezantimin e kabinetit qeveritar nga Kurti.
Ndërkohë, për më shumë se tri orë, qeveria VV-LDK u kritikua nga deputetët e opozitës.
Qeveria do të ketë 15 ministri, ku prej tyre gjashtë i takojnë Lëvizjes Vetëvendosje, gjashtë Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe tri minoriteteve. Kabineti i qeverisë Kurti përbëhet nga zëvendëskryeministri i parë Avdullah Hoti, zëvendëskryeministri i dytë, Haki Abazi.
Ministër i Punëve të Jashtme do të jetë, Glauk Konjufca, ndërsa ministër i Punëve të Brendshme, nënkryetari i LDK-së, Agim Veliu.
Ministre e Drejtësisë do të jetë Albulena Haxhiu nga radhët e LVV-së, ministër të Integrimeve Evropiane, Blerim Reka. Ministër i Financave dhe Transfereve, Besnik Bislimi, ndërsa ministre e Ekonomisë, Rozeta Hajdari. Kurse dikasteri i Ministrisë së Shëndetësisë i është besuar Arben Vitisë.
Zëdhënësi i LDK-së dhe deputeti i legjislaturës së shtatë, Besian Mustafa do të jetë ministër i Bujqësisë, Anton Quni, ministër të Mbrojtjes dhe Lumir Abdixhiku, ministër i Infrastrukturës dhe Transportit.
Vlora Dumoshi e LDK-së do të jetë në krye të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe Hykmete Bajrami do të udhëheqë Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë. /KosovaPress/