TIRANË, 21 janar/ATSH/ Ministra të kabinetit qeveritar, deputetë të Partisë Socialiste, familjarë të viktimave dhe qytetarë të shumtë zhvilluan sot homazhe për viktimat e 21 Janarit në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.
Me heshtje, lot në sy dhe karafila të kuq në duar, ata përkujtuan 9-vjetorin e vrasjes së 4 protestuesve Aleks Nika, Ziver Veizi, Hekuran Deda dhe Faik Myrtaj.
Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, ministra, deputetë socialistë dhe familjarë u përkulën për të vendosur lule në pllakat përkujtimore, që ndodhen në vendet ku ata u vranë në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, pranë Kryeministrisë.
Sot shënohen 9 vite nga 21 Janari 2011, dita kur gjatë një proteste të Partisë Socialiste, në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, para Kryeministrisë u vranë katër protestues nga Garda e Republikës.
Gjatë protestës së 21 Janarit 2011 mbetën të vrarë Aleks Nika, Ziver Veizi, Hekuran Deda dhe Faik Myrtaj./m.m/