Shalsi: Parku Fotovoltaik në Karavasta transformon sektorin energjetik

TIRANË, 20 janar /ATSH/- Ministri i Shtetit për Sipërmarrjen, Eduart Shalsi, e cilësoi një një ditë dhe një ngjarje të veçantë për Shqipërinë, çeljen e Ankandit për Parkun Energjitik Fotovoltaik, 140 MW në Karavasta, investim që llogaritet në vlerën e mbi 100 milionë eurove.

Duke marrë fjalën në ceremoninë e organizuar me këtë rast në Tiranë, Shalsi solli në vëmendje të pjesëmarrësve, përfaqësues të huaj dhe sipërmarrës vendas situatën e rëndë që përjetonte sistemi energjetik shqiptar në vitin 2013 dhe siç u shpreh ministri, – “Në atë kohë edhe mendja më optimiste, nuk do të kishte mundur të mendonte se në Shqipëri pas  disa vitesh do të diskutonim për prodhimin e energjisë së rinovueshme dhe aq më tepër për panelet diellore, pas atij kalvari vuajtjesh që kaloi vendi, që ishte në prag të një kolapsi energjetik me kompani dhe një sistem të sëmurë rëndë, me kompani shtetërore pothuajse të falimentuar”.

Shalsi tha se sot, “pas këtyre vitesh, kemi bërë të mundur që sistemi energjetik ta fusim në shina, të reformojnë kuadrin ligjor dhe mbi të gjitha të ngremë institucione të forta. Sot të gjithë e dimë që OSHEE nuk ka fare lidhje me kompaninë e mëparshme qoftë nga pikëpamja e performancës, mjediset ku punohet apo sesi punonjësit rekrutohen”.

Në këtë rrugë kaq të vështirë, solli në vëmendje Shalsi, më kujtohet një ngjarje e vitit 2014 apo 2015, ku së bashku u me disa kolegë vizituam një familje në Vlorë, që me iniciativën e tij, kishte ngritur një panel solar tek parkingu i makinës dhe asaj kohe dikutohej sesi një shqiptar i ardhur nga emigracioni kishte instaluar këtë model në shtëpinë e tij.

“Sfida ishte çfarë sahati do të vendosnim sepse nuk përdorej ai tradicionali dhe bashke me titullarët e asaj kohe u motivuam për të hartuar ligjin e ri dhe kuadri ligjor ishte momenti kryesor, pa të cilin do të ishin të pamundura arritjet e sotme”- tha ai.

Ndërsa theksoi se, vetëm disa muaj më parë, u arrit edhe marrëveshja e për instalimin e paneleve voltaik për konsumatorët deri 500 kilovolt.

“Ka qenë një partneritet me kompanitë private që ka ecur shumë më shpejt nga ç’kemi pritur. Për një periudhë 2 mujore u arrit të konkludohej në një marrëveshje që tregon se urat e komunikimit që kemi vendosur me biznesin, po ndihmojnë të dy palët për të ecur përpara. Sot lançohet një projekt i tillë dhe interesi do të jetë i lartë për këtë investim të rëndësishëm në zhvillimin e sektorit të energjisë së rinovueshme”- tha Shalsi. e.xh/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.