ZAGREB, 6 janar /ATSH-HINA/ – Presidenti i sapozgjedhur kroat, Zoran Milanoviç ka qenë kryeministër i vendit nga viti 2011 deri në janar 2016 si lideri i social-demokratëve të SDP-së.
Milanoviç mori drejtimin e SDP-së në 2007 dhe u tërhoq në 2016, pasi partia e tij humbi zgjedhjet parlamentare në fund të 2015.
Milanoviç u lind në Zagreb më 30 tetor 1966. Ai u diplomua në Shkollën e Drejtësisë në Universitetin e Zagrebit.
Pas diplomimit ai shërbeu si praktikant në Gjykatën Tregtare në Zagreb dhe në 1993 ishte i punësuar në Ministrinë e Punëve të Jashtme.
Si praktikant në Organizatën për Siguri dhe Bashkëpunim në Europë (OSBE), në 1994, ai u vendos në Karabakun e shkatërruar nga lufta (Azerbajxhan) dhe u emërua si këshilltar në misionin e Kroacisë në BE dhe NATO në Bruksel, ku fitoi gradën pasuniversitare për të Drejtën Krahasuese Europiane.
Në 2004, ai la postin e tij si zëvendësministër i Jashtëm dhe me ftesë të udhëheqësit të atëhershëm të SDP, Ivica Raçan, u bë anëtar i komitetit ekzekutiv të partisë.
Pas vdekjes së Raçanit, në prill 2007, Milanoviç u zgjodh si presidenti i partisë në qershor të atij viti duke mundur rivalët e tij Zheljka Antunoviç, Milan Bandi dhe Tonino Picula.
Në 2007, Bashkimi Demokratik Kroat (HDZ) fitoi zgjedhjet parlamentare dhe Milanoviç u bë udhëheqësi i opozitës si kryetar i SDP.
Gjatë fushatës zgjedhore për zgjedhjet parlamentare të vitit 2011 ai nënshkroi një marrëveshje koalicioni me Partinë Popullore Kroate (HNS), Partinë Demokratike Istriane (IDS) dhe partinë ”Pensionistët kroatë” (HSS), që u quajt koalicioni ”Kukuriku” dhe më 4 dhjetor të atij viti koalicioni fitoi zgjedhjet duke siguruar 80 vende (një shumicë absolute) në parlament.
Pasi humbi zgjedhjet parlamentare për 2015, Milanoviç u tërhoq si drejtuesi i SDP dhe themeloi një kompani private këshillimi.
Ai njoftoi kandidimin për zgjedhjet presidenciale të vitit 2019 në qershor.
Milanoviç është i martuar me Sanja Milanoviç, epidemiologe, dhe ka dy djem./ a.jor.