Përfundon verifikimi i mbi 8100 godinave në Bashkinë e Vorës

TIRANË, 18 dhjetor/ATSH/ Në bashkinë e Vorës ka përfunduar procesi i verifikimit sipas formularëve të standardizuar nga Bashkimi Europian, Banka Botërore dhe UNDP, të pasqyruara dhe në mënyrë hartografike, për mbi 8100 godina.

Në procesin e verifikimit u angazhuan 35 grupe inxhinierësh vendas dhe të huaj.
Zëvendësministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Hantin Bonati bëri të ditur se ky proces është dhe guri i themelit për zgjidhjen e problemeve që krijoi kjo fatkeqësi, si në planin e masave të menjëhershme që po ndërmerren për të adresuar problematikat, ashtu dhe në planin afatshkurtër të rindërtimit.

“Dua të shpreh sot një falenderim të sinqertë për 35 grupet e inxhinierëve vendas dhe të huaj, të cilët pas një pune të palodhur në terren, me orare të tej zgjatura dhe pa ditë pushimi, duke qëndruar dhe larg familjeve të tyre, ku në disa raste ishin dhe vetë të prekur nga pasojat e tërmetit, përmbyllën dje verifikimin sipas formularëve të standardizuar nga Bashkimi Europian, Banka Botërore dhe UNDP, të pasqyruara dhe në mënyrë hartografike, për mbi 8100 godinat në territorin e Bashkisë së Vorës”, – deklaroi Bonati./a.gjonaj/ /a.g/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.