Shqipëri-SHBA, marrëdhënie të shkëlqyer në fushën e mbrojtjes

TIRANE, 12 dhjetor/ATSH/-Në kuadër të Ministerialit të Mbrojtjes së nismës SHBA – Karta e Adriatikut, zhvilluar një ditë më parë në Tiranë ku njëzëri i theksua mbështetja për anëtarësimin e gjithë vendeve të Europës Juglindore në strukturat Euro-Atlantike, ministrja e Mbrojtjes Olta Xhaçka ka zhvilluar takime të posaçme me homologë të saj.

Ministrja Xhaçka ka zhvilluar një takim me ndihmës asistenten e sekretarit të Mbrojtjes së SHBA, Laura Cooper, ku diskutuan për marrëdhënien e shkëlqyer mes dy vendeve tona në fushën e mbrojtjes dhe mundësinë e angazhimit të vendit tonë në misionin e NATO-s në Irak.

Ndërsa gjatë takimit të zhvilluar me Ministrin e Mbrojtjes të Kosovës Rrustem Berisha, Xhaçka e ka falënderuar për ndihmën e menjëhershme dhe të paçmuar të FSK pas tërmetit te 26 nëntorit.

Me homologen nga Bosnje dhe Hercegovina, Marina Pendeš, deklaron ministrja, ramë dakort për intensifikimin e bashkëpunimit të ndërsjellë në fushën e sigurisë.

“Ministeriali SHBA-Karta e Adriatikut është një mundësi e shkëlqyer edhe për takime dypalëshe me kolegët e vendeve anëtare dhe vëzhguese”, shprehet ministrja e Mbrojtjes.

Ministrat e Mbrojtjes së Kartës së Adriatikut A-5, në një deklaratë të përbashkët të një dite më parë shprehën angazhimin për të ndërtuar kapacitete të përbashkëta ndaj fatkeqësive natyrore. Në deklaratën përfundimtare të takimit në Tiranë, ministrat e vendeve të Kartës së Adriatikut nxitur edhe nga pasojat që shkaktoi tërmeti i 26 nëntorit në Shqipëri u shprehën se qëndrojnë pranë popullit shqiptar në këto çaste të vështira. Ministrat e A-5 ranë dakord të mbështesin anëtarësimin e të gjitha vendeve të Europës Juglindore në strukturat Euro-Atlantike.

Duke marrë parasysh sfidat e reja shumëdimensionale të sigurisë, vendet e Kartës së Adriatikut nënvizuan nevojën e përbashkët për përmirësimin e koordinimit, shkëmbimit të informacionit dhe ngritjes së kapaciteteve për mbrojtjen e paqes, sigurisë dhe stabilitetit në rajonin tonë dhe në tërësinë e zonës Euro – Atlantike.

Ministrat e A-5 miratuan në parim propozimin e Shqipërisë për një mision të përbashkët në Irak në vitin 2020.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.