Topi i Artë 2019, garë e fortë midis Mesit e Van Dijkut

TIRANË 3 dhjetor/ATSH/ Lionel Mesi mori në duar Topin e tij të gjashtë të Artë të hënën, në mbrëmjen gala të organizuar nga revista “France Futboll” në Theatre du Chatelet të Parisit. Argjentinasi fitoi me një diferencë të ngushtë, prej vetëm 7 pikësh, me mbrojtësin e “Liverpulit”, holandezin Virgil van Dijk.

686 vota mori “Pleshti” dhe 679 vota holandezi.

Ronaldo, i cili u rendit i treti, mori 476 vota, 100 vota më shumë se vendi i katërt i Sadio Mane me 347 vota, dhe Salah 178 vota. Të tjerët në renditje morën më pak se 100 vota.

Le t’i hedhim një vështrim disa kurioziteteve të dala nga votimi i mbrëmshëm.

Van Dijk u zgjodh si i pari, ndër pesë zgjedhjet që kishte në dispoziocion çdo votues, 69 herë, më shpesh sesa Messi, i cili u preferua nga 61 votues si zgjedhje e parë.

Cristiano Ronaldo dhe Sadio Mane, të cilët u renditën respektivisht i treti dhe i katërti, u zgjodhën në vendin e parë 17 herë.

Holandezi ishte më i votuari në Azi dhe Europë, ndërsa Messi fitoi në kontinente të tjera, madje mposhti Mane dhe Mohamed Salah në Afrikë.

Sri Lanka ishte vendi i vetëm që votoi për Trent Alexander-Arnold si Nr. 1.

Kylian Mbappe u zgjodh si tri herë i parë, por përfaqësuesi i Francës në votim zgjodhi Mane si të parë.

Alisson Becker ishte zgjedhja e parë e përfaqësuesit nga Bregu i Fildishtë dhe Guatemala, por përfaqësuesi i Brazilit nuk e vendosi atë në pesë të parët.

Nga Shqipëria të drejtë vote kishte gazetari sportiv Besnik Dizdari, i cili votoi për 5 të parët sipas kësaj renditjeje: Ronaldo, Van Dijk, Mesi, Alison dhe Salah.

Kosova përfaqësohej në votim nga Bajram Shala i RTV 21, i cili votoi për Mesin në vend të parë, e me radhë: Salah, Ronaldon, Bernardo Silvën e Firminjon.

Luka Modriç, fituesi i Topit të Artë 2018, ndërsa i dorëzonte trofeun Pleshtit i tha: “Urime, e meriton!”

Në tapetin e kuq Modriç u shpreh për argjentinasin: “Mesi është mbresëlënës, një nga më të mirët e të gjitha kohërave, dhe unë e përgëzoj për atë që ka bërë”, dhe shtoi se, “mund të ishte një traditë e bukur që fituesi i fundit i trofeut t’ia jepte fituesit të radhës. Unë jam këtu, sepse futbolli ka të bëjë me respektin. Kjo është arsyeja pse erdha këtu, për ta uruar dhe për t’i dhënë çmimin”.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.