TIRANË, 3 dhjetor/ATSH/- Presidenti Ilir Meta i ka drejtuar sot Qeverisë katër kërkesa pas pas takimit me pedagogët dhe drejtuesit shkencorë, lidhur me situatën e krijuar pas tërmetit.
Kreu i Shtetit shprehet se “i kam kërkuar sot Qeverisë fillimin e punës sa më parë, për azhornimin dhe kompletimin e një Harte të re Fizike të Riskut për Shqipërinë, në të cilën do të përfshihen dhe saktësohen zonat me rrezik sizmik, si dhe të gjitha territoret e kërcënuara nga erozionet, përmbytjet, rrëshqitjet, zjarrjet, etj.
Meta ka kërkuar gjithashtu zbatimin e detyrueshëm në të gjithë territorin e vendit të sistemit të eurokodeve në ndërtimet civile dhe objektet e banimit, pa asnjë përjashtim, si dhe plotësimin e legjislacionit të planifikimit urban me elementë të rinj sigurie, sipas procedurave bashkëkohore, në projektimin dhe ndërtimin e objekteve të ndërtimit.
Po ashtu Meta i kërkoi qeverisë që në kuadër të rishikimit të Buxhetit 2020, për përballimin e pasojave tepër të rënda, duhet të planifikohet edhe mbështetja e domosdoshme financiare për institucionet përkatëse të kërkimit shkencor./k.s/ /a.g/