Pasojat e tërmetit në Durrës, Voda: Situata drejt përmirësimit, akomodimi përballohet nga buxheti i shtetit

TIRANË, 3 dhjetor /ATSH/ Zv.ministrja e Brendshme, Rovena Voda e cila është dhe kryetare e Shtabit të Emergjencës për qarkun e Durrësit gjatë një lidhjeje direkte në një emisionin televiziv ka deklaruar se situata në zonat e prekura nga tërmeti po menaxhohet më së miri.

Voda përmendi disa nga hapat e ndërmarra duke nisur nga operacionet e kërkim-shpëtimit, akomodimi në qendrat hoteliere e cila u kalua me sukses.

“Ju mund të shihni se para godinës së bashkisë së Durrësit nuk ka asnjë person që thotë se ka mbetur jashtë. Janë 7 hotele që kanë pritur banorët e mbetur të pastrehë, fëmijë, të moshuar. Për të gjithë ka shërbime ndihmëse, asistencë shëndetësore dhe furnizime me ushqim e veshmbathje”, – u shpreh Voda.

E pyetur nga ish-deputetja demokrate Jorida Tabaku në lidhje me fondin e emergjencës, Voda theksoi se shpenzimet për akomodimin në hotele do të përballohen nga buxheti i shtetit.

Ndërsa sa i takon deklaratave të opozitës se ka ende njerëz në çadra, kryetarja e shtabit të Emergjencave për qarkun e Durrësit theksoi se vetëm në zonën e Sukthit janë akomoduar që ditën e parë 84 persona, e në ditët në vazhdim numri është rritur.

“Ne i kemi pyetur ku duan të akomodohen. Për banorët e zonave rurale që kanë problem me gjënë e gjallë, ne iu kemi ofruar çadra”, tha zv.ministrja e Brendshme, Rovena Voda.

Sa i takon shqetësimit të ngritur në studio nga aktivisti i shoqërisë civile Ergys Mërtiri i cili tha se ka ende njerëz që thonë se s’kanë marrë asnjë ndihmë nga shteti, Voda tha se ndihmat janë menaxhuar në bashkëpunim me drejtuesit e njësive administrative.

Sipas saj, ka pasur dhe bashkëpunim me organizatat vullnetare për t’i ardhur në ndihmë familjeve të mbetur të pastrehë.

“Të realizosh maksimalen është e vështirë, por garantojmë se situata do të përmirësohet edhe më tej në ditët në vijim”, përfundoi Voda. /a.a/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.