TIRANË, 3 dhjetor /ATSH/ – Ministrja e Energjisë dhe Infrastrukturës, Belinda Balluku në Kampin e Emergjencave në Vorë festoi sot ditëlindjen e vogëlushes 6-vjeçare, Melisës.
Në këtë kamp në Vorë situata sot u rikthye drejt normalitetit ku duket se dhimbja e pak ditëve më parë i la vendin festës dhe muzikës.
Ministrja Balluku ka uruar vogëlushen në 6-vjetorin e saj duke i shprehur asaj të ketë vetëm shëndet e lumturi pranë prindërve e gjyshërve.
Për vogëlushen kjo ishte ditëlindja më e bukur që kishte festuar deri tani.
“Shumë urime për ty! Shumë urime për Melisën! Melisa tha që kjo është ditëlindja më e bukur që ka pasur. Në Kampin e Emergjencave në Vorë, mes tingujve të muzikës dhe lojërave të fëmijëve, festuam ditëlindjen e vogëlushes 6-vjeçare, të gjithë bashkë si një familje e madhe! Jetë të gjatë Melisës, shëndet e lumturi bashkë me prindërit e me gjyshërit, u bëfsh sa më e madhe”, tha ministrja Balluku.
Ministrja Balluku gjithashtu garantoi se askush në këtë situatë nuk do jetë vetëm sepse asgjë nuk është e pamundur kur jemi në këmbë.
“Askush nuk është vetëm, sot jemi edhe më të fortë, sepse jemi të bashkuar! Asgjë nuk është e pamundur, kur është në këmbë”, u shpreh Balluku. /a.a/j.p/