Pallatet e dëmtuara, por që janë të qëndrueshme do riparohen nga ndërtuesit e tyre

TIRANË, 2 dhjetor  /ATSH – I. Vata/- Kryeministri Edi Rama gjatë takimit të Qendrës së Emergjencave, Durrës ka kërkuar menjëherë akomodimin e njerëzve që nuk kanë shtëpi, identifikimin e pallateve që do riparohen duke theksuar se janë kompanitë e ndërtimit që do t’i rregullojnë si dhe pastrimin e inerteve nga ndërtesat që do shemben dhe kthimi i hapësirave në parqe.

Ministri Fuqiplotë për Adresimin e pasojave të tërmetit, Bledi Çuçi duke raportuar në mbledhje tha se se gjeja kryesore ku duhet të përqendrohemi është të shtohen grupet e punës.

“Është fokusimi te rritja e grupeve të verifikimit. Njerëzit nga paniku dhe goditjet e njëpasnjëshme të tërmetit dhe duke dëgjuar se kanë ardhur grupet e huaja të gjithë kërkojnë që t’u shihet pallati sa më shpejt”, tha ai.

Më tej, Çuçi shtoi se janë mobilizuar goxha grupe. “Tani po shpërndajmë edhe në Lezhë, pasi Lezha hyri në hartën emergjencës. Besoj se me gjithë premtimet që kemi marrë edhe nga ndërkombëtarët, do rrisim numrin e  grupeve të verifikimit, ndërkohë që ka një gatishmëri të shtuar edhe të firmave të huaj private për të sjellë inxhinierë, kështu do të organizohemi me firmat private dhe besoj do ta vëmë në kontroll”.

“Njerëzit duan të dinë se çfarë po bëjmë dhe për këtë jemi shumë të qartë pasi kemi marrë vendimet edhe në Komitetin e Emergjencave edhe në qeveri pasi çdo problem do të zgjidhet sipas mënyrës që ne kemi vendosur. Problemi që ka shoqëruar që ditën e parë këtë emergjencë është çështja e akomodimit të njerëzve. Unë mendoj që jemi në një fazë më të qetë përsa i përket akomodimit të njerëzve. Vendimi i qeverisë që u zbatua me hotele ka zgjidhur këtë çështje. Pati një fluks të shtuar dhe njerëzit i kemi drejtuar në hotele dhe tashmë kjo situatë është në kontroll në Durrës, Shijak dhe Krujë”, tha ai.

Po ashtu, Çuçi theksoi se kemi gati finalizimi i një formulari për vlerësimin.

“Ajo që do zgjidhim tani është finalizimi i një formulari për vlerësimin e dëmeve i cili është një model që e përdor e gjithë bota për vlerësimin e dëmeve. Kjo ka dhe një të mirë sepse të dhënat do hidhen në mënyrë elektronike dhe do të hidhen në një database qendror dhe shumë e kollajtë për të mësuar sa objekte janë dëmtuar, madje edhe me vendndodhjen gjeografike”, tha ai.

Kryeministri Rama kërkoi me urgjencë listën e firmave të ndërtimit që kanë ndërtuar pallate.

“E para lista e investitorëve që kanë ndërtuar pallatet të cila janë me dëmtime por nga pikëpamja strukturore janë në rregull, pra te cilat pallate grupet e inspektimit shqiptare dhe të huaj thonë ky riparohet. Nesër duhet lista. Dhe këta do të thirren të gjithë dhe t’u thuhet këto do t’i riparosh të gjitha dhe jo si të thuash ti por si të themi ne. Me të gjithë parametrat teknikë. Dua informacion ku janë këta. Se ka ndonjë që bën si i falimentuar apo është i falimentuar, nuk ka rëndësi, lista dhe personat”, tha Rama.

j.p/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.