VIDEO-Shqipëria Solidare/ Një tjetër hotel në Durrës akomodon 130 persona të prekur nga tërmeti

TIRANË, 29 nëntor/ATSH/- Rreth 130 persona nga Durrësi, Vora, Shijaku dhe rrethinat e prekura nga tërmeti i 26 nëntorit janë akomoduar në një tjetër hotel në qytetin bregdetar.

Klesta Xhaferri, menaxhere pranë “Prestige Resort” tha për ATSH-në, se “aktualisht në këtë resort janë të akomoduar rreth 130 persona fëmijë, të moshuar, familjarë të ndryshëm të zonave të Durrësit, Vorës, Shjakut dhe rrethinave të tjera të prekura. Është një iniciativë e të gjithë stafit , gjithë resortit. Po i shërbehet 24 orë si me shërbimin e mjekëve që kanë ardhur vullnetarë, ashtu edhe me shërbimin e ushqimit dhe atë të transportit”.

“Kemi qenë ne që me transportin tonë kemi vajtur në zonat e prekura dhe kemi marrë familjet, të cilat tani janë të pastrehë. Të gjithë të lënduarit kanë në dispozicion stafin mjekësor, akomodimin, ushqimin, veshmbathje”, – tha Xhaferri.

Ajo falënderoi të gjithë ata që janë informuar që në “Prestige Resort” ka të lënduar e të dëmtuar dhe kanë sjellë kontributet e tyre./k.s/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.