Shkreli:Grupe pune në terren për identifikimin e objekteve të dëmtuara nga tërmeti

TIRANË, 28 nëntor/ATSH/ Ekipi prej 40 arkitektësh dhe inxhinierësh nga Kosova që iu bashkua kolegëve nga Shqipëria do të vlerësojnë dëmet në terren duke nisur me pallatet e e më pas edhe të objekteve më të vogla, që të kemi një bilanc të kostos financiare.

Zëvendësministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Artan Shkreli deklaroi sot se duhen identifikuar objektet që duhen të shemben ose kanë dëmtuar strukturën dhe objektet që mund të rikonstruktohen.

“Puna ka filluar në dy qarqe, Tiranë dhe Durrës ku është shpallur gjendja e emergjencës. Fillimisht jemi përqendruar në pallatet e mëdha shumëkatëshe, ku edhe afektimi është më i madh, pasi ka më shumë njerëz. Tani jemi duke u shtrirë në qendra më të vogla. Kemi patur pak resurs në raport me situatën që u krijua. Na u përgjigjen njerëzit, jo vetëm nga strukturat tona, por kanë shprehur vullnetin për të dhënë ekspertizë edhe shumë specialist nga vendet fqinje e më tej”, pohoi zv/ministri Shkreli.

Shkreli theksoi se kemi rajonizuar zonat, disa prej të cilave i kemi identifikuar që tani dhe nuk do t’i shikojmë, por kemi zona gri, ose zona të bardha ku akoma nuk janë shkelur, pasi kemi menduar që intensiteti ka qenë më i vogël.

“Tani kalojmë në fazë tjetër. Nuk mjafton më identifikimi i objekteve që rrezikojnë për të rënë, por duhen identifikuar objektet që do t’i shembim apo riparojmë. Duhet bërë një bilanc, nëse ja vlen riparimi apo duhen shembur e riparuar”, deklaroi Shkreli. /a.gjonaj/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.