Qeveria austriake ndihmë prej 600 mijë euro për Shqipërinë

TIRANË, 28 nëntor  /ATSH – I. Vata/- “Pas tërmetit të fuqishëm që goditi Shqipërinë, qeveria austriake ka akorduar një fond ndihme prej 600.000 Eurosh”, deklaroi sot ambasada austriake në Tiranë.

Duke bërë të ditur lajmin, Ambasada e Austrisë në Tiranë thekson se “me këtë fond të Agjencisë Austriake për Zhvillim, duke pasur parasysh periudhën e dimrit ku ndodhemi, synohet të rindërtohen sa më shpejt shtëpitë e shembura, – bëri të ditur Ministria e Jashtme austriake”.

“Shqipëria, që prej vitit 1992 është një vend në fokus të Agjencisë Austriake për Zhvillim. Që pas tërmetit që goditi Shqipërinë më 21 shtator, Ministri i Jashtëm austriak, Alexander Schallenberg, është shprehur i gatshëm për të mbështetur qytetarët e prekur nga kjo katastrofë natyrore. Ndihmës së deritashmi i është shtuar tashmë edhe ky fond prej 600.000 Eurosh, Austrinë dhe Shqipërinë e lidh një miqësi e gjatë prej dekadash“, – u shpreh Kancelarja Federale Brigitte Bierlein në një deklaratë të sajën.

“Bizneset austriake janë ndër investitorët më të mëdhenj në vend. Me bindje të plotë e mbështesim Shqipërinë në kuadër të Agjencisë Austriake për Zhvillim dhe si një vend kandidat për anëtarësim në BE”, shprehet ambasada. /a.g/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.