Hysenbelliu: Grupet e punës do të kryejnë kualifikimin e të gjitha objekteve të prekura nga tërmeti 

TIRANË, 28 nëntor/ATSH/ Drejtori i Institutit të Ndërtimit, Agron Hysenbelliu deklaroi sot se grupet e punës me ekspertë arkitekt dhe inxhinierë do të kryejnë kualifikimin e të gjitha objekteve të prekura nga tërmeti i së martës që goditi Shqipërinë.

Gjatë takimit me 40 ekspertët e mbërritur nga Kosova për të mbështetur në terren kolegët e tyre në Shqipëri, Hysenbelliu theksoi se në fazën e parë do të kryejmë akt ekspertimin. “Është moment ku ne do të kualifikojmë objektet, do të përcaktojmë se në cilat nga objektet duhet të ndërhyjmë dhe në cilat nuk duhet të ndërhyjmë”, – u shpreh Hysenbelliu.

Nëse objekti është i ngurtë, sqaroi ai, do të shikohen strukturat, nëse mbajnë apo jo.

“Nëse këto struktura nuk mbajnë, mbahet procesverbali përkatës dhe në sekondë banorët do të nxirren jashtë. Nëse objekti është elastik do të shikohet pjesa elastike e objektit, sepse muret mund të kenë çarje mund të ketë probleme të standardit, nuk banohet në të, por nga ana konstruktive mund të qëndrojë. Të gjitha këto objekte do t’i identifikojmë dhe do të shikojmë kostot”, deklaroi ai.

Gjithçka, vuri në dukje Hysenbelliu, duhet t’i shënojmë në procesverbal.

Sipas tij, formulari i konstatimit do të jetë i thjeshtë, në mënyrë që shpejtësia e kryerjes së veprimeve të jetë e tillë që të na japë mundësinë që të kemi informacion të shpejtë që të vëmë edhe pjesët e tjera të qeverisë në punë për të filluar riparimet.

“Në fazën e dytë do të përllogarisim një buxhet, që t’i themi shtetit sa sa do të jetë kosto për riparuar dëmet e shkaktuara. Fillimisht, do të përqendrohemi tek asetet publike në çerdhe, kopshte, shkolla dhe hotelet ku po strehohen banorët./a.gjonaj/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.