TIRANË, 27 nëntor /ATSH/ -Kryeministri Edi Rama ka falënderuar të gjithë ata që kanë strehuar banorët shtëpitë e të cilëve janë prishur apo janë të pabanueshme si pasojë e tërmetit që ra në orët e para të mëngjesit të së martës në Durrës, duke bërë që të jenë të panevojshme çadrat e emergjencës.
“Faleminderit të gjithë atyre që e realizuan këtë mrekulli të vogël, duke i bërë të panevojshme çadrat e emergjencës për fatkeqët në Durrës, pa u mbushur ende 48 orë nga thagma dhe pavarësisht ngarkesës së tmerrshme e të gjithanshme”, thekson Rama.
Nga sonte, vijon ai, “të gjithë do të jenë në të ngrohtë, me ushqim e krevat, falë pikërisht organizimit, koordinimit dhe mbi të gjitha gatishmërisë fantastike të sipërmarrësve të hotelerisë durrsake”.
“Nga nesër në mëngjes herët, nisim vizitat nëpër banesat e dëmtuara, për t’u siguruar se çdo familje në nevojë për një strehë të sigurt, do ta ketë atë pa humbur kohë”, shton Rama.
“Shqipëri Solidare. Jep kontributin tënd në adresën unike: e-albania.al/dhuro”, përfundon ai.
/gj.mima/ /a.g/