Fondacioni për Shoqëri të Hapur dhe Soros, 500 mijë USD ndihmë për të prekurit nga tërmeti

TIRANË, 27 nëntor /ATSH/- Drejtuesit e Fondacionit Soros shprehën solidaritetin me familjet dhe njerëzit që po vuajnë pasojat e tërmetit të 26 Nëntorit.

Në përgjigje të situatës dhe përballimit të pasojave pas tërmetit, është vënë në
dispozicion fondi prej 500 mijë dollarë për fazën e rimëkëmbjes dhe rindërtimit
për të prekurit dhe dëmtuarit nga tërmeti. Fondi në fjalë do të vihet në
dispozicion të Fondacionit Shoqëria e Hapur për Shqipërinë i cili do ta vërë atë
në shërbim të qytetarëve më vulnerabël e që po përballen me pasojat më të
rënda.

Ndërhyrje të tilla të jashtëzakonshme Fondacioni për Shoqëri të Hapur i ka
ndërmarrë gjithmonë në vende që janë partnerë strategjik dhe që kanë një lidhje
të fortë me aktorët e shoqërisë civile, me qëllim, ofrimin e mbrojtjes së
menjëhershme të operacioneve humanitare dhe rimëkëmbëse.

Xhorxh Soros dhe Fondacionet për Shoqëri të Hapur janë me zemër pranë
Shqipërisë, shoqërisë shqiptare dhe të dëmtuarve që po përballen me pasojat e
rënda të tërmetit.

Xhorxh Soros dhe Fondacioni për Shoqëri të Hapur kanë një histori të gjatë
bashkëpunimi me Shqipërinë e cila daton me vitin 1992 kur Fondacionet nisën
aktivitetin e tyre. Mbi 130 milionë dollarë janë ofruar prej vitit 1992 për një
shoqëri të hapur për shqiptarët. e.xh/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.