TURQI – 50 000 imigrantë të deportuar që prej korrikut

STAMBOLL, 15 nëntor /ATSH-AFP/ – Rreth 50 000 imigrantë, mes të cilëve më shumë se 6 000 sirianë, janë deportuar nga Stambolli që prej fillimit, në muajin korrik, të një operacioni kundër imigracionit të paligjshëm, njoftuan sot autoritetet lokale.

Sipas guvernatorit të Stambollit, 42 888 imigrantë klandestinë, kombësia e të cilëve nuk është bërë e ditur, janë ndaluar dhe janë dërguar në qendrat e paraburgimit në kuadër të dëbimit të tyre nga Turqia.

“Rreth 6 416 sirianë janë vendosur në qendrat e pritjes së përkohshme”, theksoi guvernatori.

Ministri i Brendshëm turk, Suleyman Soylu kishte njoftuar në muajin korrik fillimin e një operacioni që synonte imigrantët e paligjshëm në provincën e Stambollit.

Autoritetet turke konfirmojnë se nuk ka pasur asnjë problem me personat e regjistruar sipas rregullave tek autoritetet në Stamboll.

Imigrantët që nuk janë regjistruar në asnjë provincë janë dërguar në qendrat e ndalimit në kuadër të dëbimit të tyre nga Turqia, me përjashtim të sirianëve, që Ankaraja konfirmon se nuk do t’i rikthejë në vendin e tyre në luftë./ /ec/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.