TIRANË, 12 nëntor /ATSH/ Përkrahja e të drejtave të njeriut në Shqipëri dhe mbështetja për institucionet që trajtojnë shkeljen e tyre është në thelb të punës së Prezencës së OSBE-së.
Këtij qëllimi i shërbeu edhe një tryezë, që organizoi të hënën Prezenca, bashkë me institucionin e Avokatit të Popullit, për rolin e këtij të fundit në mbrojtjen dhe përkrahjen e të drejtave të njeriut.
Pjesëmarrësit diskutuan për sfidat e kornizës ligjore dhe përputhjen e saj me standardet ndërkombëtare të të drejtave të njeriut. Veprimtaria shërbeu edhe për të lehtësuar dialogun, që do të krijonte një mjedis më të favorshëm për trajtimin e çështjeve individuale të shkeljes së këtyre të drejtave.
Tryeza pason përpjekjet e mëparshme të Prezencës në mbështetje të institucioneve të të drejtave të njeriut, veçanërisht rritjen e kapaciteteve për monitorimin dhe raportimin e tyre.
Po ashtu, Prezenca e OSBE-së ka ndihmuar për hartimin dhe miratimin e një marrëveshjeje bashkëpunimi të përbashkët mes institucioneve kombëtare të të drejtave të njeriut.
/gj.mima/ /a.g/