KQZ: 24 orë afat për ankesa nga subjektet dhe kandidatët

PRISHTINË, 7 nëntor/ATSH/ U desh një muaj që nga 6 tetori, dita e votimeve, që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të shpallte sot rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.

Kryetarja e KQZ-së Valdete Daka bëri të ditur që partitë dhe kandidatët kanë të drejtë 24 orë që të ankohen në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP).

Nga rezultatet përfundimtare të KQZ-së, del që Vetëvendosje ka fituar 26,159% të votave në zgjedhjet nacionale të 6 tetorit, pasuar nga LDK me 24,458%.

“Lëvizja Vetëvendosje ka fituar gjithsej 220 mijë e 811 vota, apo shprehur në përqindje 26,159%, Lidhja Demokratike e Kosovës ka fituar 206 mijë e 458 vota apo 24.458%, Partia Demokratike e Kosovës ka 178 mijë e 645 vota apo 21,163%, AAK-PSD koalicioni 100% Kosovë ka 96 mijë e 883 vota apo 11,477%, Srpska Lista ka 57 mijë e 15 vota apo 6,754%, Nisma Socialdemokrate – Aleanca Kosova e Re – Partia e Drejtësisë ka 42 mijë e 72 vota apo 4,984%”, bëri të ditur Daka.

Në legjislaturën e shtatë të Kuvendit të Kosovës, Lista Serbe do të ketë 10 deputetë, koalicioni VAKAT 2 deputetë, Kosova Demokratik Turk Partisi 2 deputetë, Partia Liberale Egjiptiane 1 deputet, Nova Demokratsska Stranka 1 deputet, Partia e Ashkalinjve për Integrim 1 deputet, Iniciativa e re Demokratike e Kosovës 1 deputet, Jedinstvena Goranska Partija 1 deputet, dhe Partia Rome e Bashkuar e Kosovës 1 deputet.

Kryetarja e KQZ-së Vadete Daka tha se ky publikim u bë pasi u konfirmua se Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa dhe Gjykata Supreme nuk kishin ndonjë çështje për të shqyrtuar dhe vendosur.

Në zgjedhjet e 6 tetorit, ku kanë qenë 44.72% pjesëmarrës në votime, lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti ka marrë 183.868 vota, kandidatja e LDK-së për kryeministër Vjosa Osmani ka marrë 176.188 vota, Kadri Veseli i PDK-së 146.763 vota dhe ish-kryeministri i Kosovës dhe lider i AAK-së Ramush Haradinaj 75.917 vota.

Rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të 6 tetorit kanë nxjerrë Lëvizjen Vetëvendosjen të parën me 32 deputetë, ndërkohë që Lidhja Demokratike e Kosovës do të ketë 29 deputetë, Partia Demokratike e Kosovës 25 deputetë, koalicioni AAK-PSD 14 deputetë.

Nga këto zgjedhje Nisma Socialdemokrate nuk ka arritur të kalojë pragun për t’u bërë pjesë e Kuvendit të Kosovës, ndërkohë që janë paralajmëruar ankimime të rezultateve nga Behgjet Pacolli i Aleancës Kosova e Re dhe nga Nisma Socialdemokrate e Fatmir Limajt, të cilët i konsiderojnë të fabrikuara nga KQZ rezultatet e nxjerra. /KosovaPress/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.